SHBA-të në alarm nga fëmijët emigrantë
Washington, 3 qershor - Presidenti amerikan Barack Obama e ka cilësuar rritjen e fluksit të fëmijëve të pashoqëruar nga të rriturit që emigrojnë në Shtetet e Bashkuara si një situatë urgjente humanitare.
Vlerësimet e fundit tregojnë se rreth 60 mijë fëmijë, shumica e të cilëve nga Amerika Qendrore dhe Meksika pritet të hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kongresit për një fond shtesë prej 1.4 miliardë dollarësh për ti bërë ballë situatës. Mediat amerikane raportojnë se përkohësisht autoritetet do ti strehojnë fëmijët në dy baza ushtarake.
Mbi 90 për qind të fëmijëve që kapen në përpjekje për të kaluar kufirin SHBA-Meksikë pa prindërit e tyre vijnë nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.
Shumica prej tyre arratisen nga dhuna në familje ose bandat e dhunshme që i vënë në shënjestër. Ndërsa të tjerë për shkak të varfërisë në vendlindje.
Në disa raste, kur mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara shumë fëmijë shpresojnë të bashkohen me prindërit ose me të afërm të tjerë.
Drejtoresha e Këshillit të Politikave të Brendshme në Shtëpinë e Bardhë, Cecilia Munoz deklaroi se numri i fëmijëve që udhëtojnë të vetëm është rritur që prej vitit 2009.
Ajo tha se numri i vajzave dhe djemve nën moshën 13 vjeç është rritur gjithashtu. Të gjitha këto tregojnë se bëhet fjalë për një çështje urgjente, tha Munoz.
Qeveria amerikane druhet se numri i fëmijëve të pashoqëruar mund të rritet deri në 130 mijë vitin e ardhshëm.