11 Janar 2025

SHBA refuzoi kërkesën e Dacicit

Beograd, 6 mars - Refuzimi që kryeministri Hashim Thaçi i bëri kërkesës së homologut të tij, Ivica Dacic të hënën në Bruksel, për krijimin e bashkësisë së nëntë komunave serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive, ka dëshpëruar politikanët serbë në Beograd e në veri.

Ata tashmë shprehen të bindur se Hashim Thaçi e ka mbështetjen e plotë të amerikanëve për të mos lejuar një gjë të tillë.

Gazeta serbe, “Blic”, duke cituar burime nga diplomacia amerikane shkruan se vetëm Shtetet e Bashkuara janë kundër këtij asociacioni, derisa shtetet e Quintit janë pro.

“Shtetet e Quintit si Gjermania, Franca, Anglia e Italia konsiderojnë se krijimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, është i arsyeshëm, por me këtë nuk pajtohen Shtetet e Bashkuara, transmeton “Zëri”.

Ndonëse bisedimet zhvillohen në Bruksel dhe udhëhiqen nga Brukseli, në fund vendimet i marrin amerikanët”, shkruan “Blic”.

Më tej në raport thuhet se “Hashim Thaçi nuk ka pranuar kërkesën e Dacicit, sepse kështu i kanë thënë amerikanët. E këta të fundit e kanë bërë për shkak se ata e dinë që Serbia nuk do t’i ndërpres bisedimet, sepse ajo është e varur nga ato, nëse do të marrë statusin e kandidatit për BE”.

Vetë kryeministri serb ka thënë para disa ditësh se bisedimet me Prishtinën janë në një fazë shumë të vështirë, pasi që, sipas tij, zyrtarët e Kosovës nuk duan të pranojnë asgjë që iu ofrohet dhe për këtë ata nuk kanë kurrfarë presioni. Kryeministri serb, gjithashtu ka thënë pas takimit në Bruksel, se kanë biseduar për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, porse nuk ka rezultuar me kurrfarë pajtueshmërie mes palëve.

Si rezultat i kësaj ka nisur frika e politikanëve serbë, atyre që akoma mendojnë se Kosova është Serbi, se po shkojnë drejt humbjes së Kosovës. Liderët ilegalë të veriut, kanë kërkuar edhe largimin e presidentit serb, Tomislav Nikolic dhe të përfaqësuesit për Kosovë, Aleksandër Vucic.

Marko Jaksic, politikan serb në veri, ka thënë se kryetari Nikolic e ka pranuar se po e shkel kushtetutën e Serbisë meqë po përpiqet që serbët në Kosovë të bëhen me polici e gjyqësi në kuadër të institucioneve të Kosovës.

“Çdo takim në Bruksel shkakton dridhje dhe frikë të serbëve në Kosovë pasi është gjithnjë e më e qartë se Kosova po shkon drejt pavarësisë”, ka thënë Jaksic.

Nga ana tjetër, politikani serb në veri, Oliver Ivanovic mendon se është herët që të shkohet në konkluzione të tilla dhe se, sipas tij, duhet akoma kohë që të arrihet deri te një marrëveshje mes palëve.

Ai gjithashtu beson se kërkesa e Dacicit, për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, nëse jo sot, një ditë jo shumë larg do të pranohet.

“Kjo do të ndodh, sepse është kërkesë e arsyeshme, duke pasur parasysh se ata nuk u besojnë institucioneve të Prishtinës. Siç nuk ju besojnë serbët e veriut, njësoj nuk iu besojnë as ata të jugut, vetëm se pozita gjeografike e serbëve të jugut i ka vendosur ata në një situatë më të vështirë, meqë janë të rrethuar me shqiptarë andaj edhe nuk bëjnë zë, ndërkohë që serbët e veriut janë në një pozitë më të volitshme prandaj edhe rezistojnë”, tha Ivanovic. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)