ShBA përgatit sanksione të reja kundër Rusisë
Washington, 4 gusht - Disa senatorë republikanë dhe demokratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë paraqitur Kongresit një projektligj me sanksione të reja dhe të rrepta ndaj Rusisë.
Sipas një lajmi të “Fortune”, projektligji, i cili është paraqitur në Kongres të enjten nga senatorët Lindsey Graham, Bob Menendez, Cory Gardner, Ben Cardin, John McCain dhe Jeanne Shaheen, përmban sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të "ndërhyrjes në zgjedhjet e ShBA-së, ndikimit të keq në Siri, agresivitetit në Krime dhe aktiviteteve të tjera".
"Regjimi aktual i sanksioneve ka dështuar të frenojë Rusinë nga ndërhyrja në zgjedhjet e ardhshme (të ndërmjetme) të vitit 2018",- tha senatori republikan Graham duke e cilësuar projektligjin e titulluar "Ligji për mbrojtjen e sigurisë amerikane nga sulmet e Kremlinit 2018” si “faturë të prerë nga ferri”.
Raportohet se projektligji do të sjellë sanksione ndaj "figurave politike, oligarkëve dhe disa familjeve" të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërkaq, senatori demokrat Menendez, duke folur për projektligjin tha se Vladimir Putin vazhdon të jetë një kërcënim në rritje për ShBA-në dhe aleatët e saj.
"Edhe pse Kongresi vitin e kaluar pranoi me shumicë dërmuese një sërë kundërmasash, fatkeqësisht administrata nuk u është përmbajtur plotësisht sanksioneve të vendosura. Ky projektligj është hapi tjetër për t’i ‘shtrënguar vidhat’ Kremlinit”, është shprehur Menendez.
Bie në sy fakti që projektligji i ri është paraqitur pas daljes së lajmeve se rrjeti social Facebook ka zbuluar dhe mbyllur disa llogari, të cilat kanë publikuar lajme të rreme në platformat e tyre para zgjedhjeve të ndërmjetme në ShBA.
Para se të hyjë në fuqi projektligji duhet të miratohet nga Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe presidenti amerikan Donald Trump.