SHBA përfshihet nga një stuhi e fuqishme bore
Washington, 7 mars - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë përfshirë nga një stuhi e fuqishme bore, që sot ka prekur Washingtonin, duke shkaktuar mbylljen e qeverisë federale.
Banorët e kryeqytetit kanë marrë masat për mundësinë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Stuhia pritet të arrijë pikun në mesditë, ku në disa zona periferike të qytetit, parashikohet të bjerë borë deri në 25 centimetra.
Të gjitha zyrat qeveritare janë mbyllur. Shërbimet e emergjencës kanë marrë paraprakisht masat për stuhinë, duke spërkatur rrugët me rërë dhe kripë dhe duke i nxitur banorët të mos i japin sot makinës.
Një zëdhënëse e kompanisë së energjisë Dominion Power tha se mijëra banesa janë tashmë pa energji elektrike. Dje qyteti i Çikagos u prek më shumë nga stuhia, ku pati 25 centimetra borë.
Në të dy aeroportet kryesore të qytetit u anuluan mbi 1 mijë fluturime. Sot edhe aeoporti ndërkombëtar Dulles i Washingtonit, i ka anuluar shumicën e fluturimeve.