SHBA nuk tërhiqet nga Kosova
Prishtinë, 3 janar - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe aleatët e tyre në radhët e NATO-s kanë vendosur ta mbajnë të pandryshuar numrin e trupave të tyre në Kosovë, me qëllim garantimin e sigurisë në vend.
RTK citon burime nga Washingtoni, sipas të cilave një gjë e tillë është vendosur në takimet e fundit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s.
Sipas tyre shkak për këtë vendim është bërë tensionimi i situatës në veri, para përshkallëzimit të të cilës Aleanca kishte menduar reduktimin e trupave të huaja me të paktën 2500 ushtarë.
Nga këta 750 janë ushtarë amerikanë që ndodhen në bazën Bondsteel. Pra, në këtë fazë nuk do të ketë tërheqje të njëanshme të trupave të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë zyrtarë nga qeveria e Kosovës nuk kanë komentuar rreth paralajmërimeve se Washingtoni do të tërhiqet nga Kosova.
Vet ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se nuk ka ndonjë koment për këtë çështje pasi nuk ka ende asgje zyrtare.
\"S`kam koment, sepse s`ka asgjë zyrtare. Ne kemi dëshirë që trupat amerikan të qëndrojnë, por ky është një vendim i tyre. Prandaj unë nuk mund t`i komentojë veprimet e amerikanëve\", u shprehur ministri kosovar Bajram Rexhepi.
Gjithashtu, mbështetja amerikane për KFOR-in dhe në veçanti forcat amerikane në Kosovë u konfirmua nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së fundit në Evropë.
Të njëjtën gjë bëri edhe shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, gjenerali Craig McKinley, gjatë vizitës që zhvilloi në fund të tetorit në bazën Bondsteel.