SHBA nis hakmarrjen ndaj OKB-së, i shkurton buxhetin për mbi 285 milionë dollarë
New York, 26 dhjetor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nisën të zbatojnë të paktën pjesërisht kërcënimin lëshuar përpara votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ambasadorja amerikane atje Nikki Haley njoftoi se buxheti i misionit të vendit të saj në organizatën më të madhe të globit për periudhën e viteve 2018-2019 do të shkurtohet me mbi 285 millionë dollarë. Shkurtime do të ketë edhe në nivel menaxhimi e në funksionet mbështetëse.
“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, pat thënë Haley në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme pak përpara votimit të rezolutës që riafirmonte statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze.
Të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen, thuhej aty, në një referencë të qartë ndaj lëvizjes së Donald Trump që shkaktoi polemika në mbarë botën. Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, ajo e asamblesë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.
Në lëvizjen e saj, Amerika megjithatë nuk mbetet krejt e vetme. Një ditë më pare, edhe Guatemala vendosi të zhvendosë ambasadën e vet nga Tel Avivi në Jeruzalem, një hap ky që e ka kënaqur padyshim Uashingtonin.
Ajo ishte një prej shteteve që votuan kundër rezolutës dhe njëkohësisht, një prej vendeve të Amerikes Latine që përfitojnë më shumë prej ndihmës amerikane, por presidenti Jimmy Morales u përpoq ta justifikonte veprimin e tij me faktin që vendi i vet është aleat i hershëm i Izraelit.