SHBA: Nikoliq nuk është nga të pëlqyerit e Perëndimit
Washington, 3 qershor - Presidenti i ri me probleme të vjetra, është titulli i shkrimit autorial të ish diplomatit amerikan, Morton Abramowitz që botohet në numrin më të ri të revistës Interesi Nacional, e që bën fjalë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe dhe reflektimi i tyre ndaj Kosovës.
Diplomati amerikan thotë se zyrtarët e BE-së dhe të SHBA kishin shpresuar për zgjedhjen e një lideri që do të çonte përpara çështjen e Kosovës. Mirëpo, mbetet një pikëpyetje nëse një lider i tillë mund të gjindet sot në Beograd, e padyshim Nikoliq nuk është njëri nga të pëlqyerit e Perëndimit.
Abramowitz, ish ndihmësekretar amerikan i Shtetit dhe këshilltar i delegacionit të Kosovës në bisedimet në Rambouillet thotë se përkundër ndihmës evropiane dhe amerikane, Boris Tadiq nuk fitoi, ndërsa kryeshefja e politikës së Jashtme evropiane Lady Ashton bëri të gjitha përpjekjet për rizgjedhjen e tij, duke i inkuadruar edhe amerikanët që ta detyronin Qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje jopopullore me Serbinë.
Abramowitz shkruan se as Nikoliq nuk dallon nga Tadiqi rreth Kosovës dhe BE i duhet të bisedojë me të dy, sepse sistemi parlamentar i mundëson Tadiqit të emërohet kryeministër dhe të ketë më shumë pushtet se Nikoliqi, nëse partia e presidentit mbetet jashtë koalicionit. BE shpreson se me një ndihmë të madhe financiare dhe me premtim anëtarësimi mund të ndryshojë klimën politike në Serbi dhe që lidershipi politik të jetë tolerant ndaj pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, nuk është e sigurt nëse ndonjëri do të pranojë realitetin pa të paktën një lloj ndarje të veriut të Kosovës. Abramowitz tërheq vërejtjen se dhuna ende nuk mund të përjashtohet në Ballkan, ndërkaq problemi më imediat i një shpërthimi të armiqësive mbetet veriu i Kosovës.
/rtk/