ShBA miraton ligjin për sanksione ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut

Washington, 26 korrik - Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të ShBA-së me 419 vota pro dhe tre kundër miratoi projektligjin për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut.
Mbështetja masive për këtë projektligj do të thotë se Dhoma e Përqafësuesve mund ta hedhë poshtë një veto të mundshme presidenciale.
Projektligji synon të godasë zyrtarët kryesorë rusë, për ndërhyrjen e dyshuar të tyre në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA, si edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit e Koresë së Veriut për programet e tyre të armatimeve.
Sipas projektligjit, Kongresi mund të vërë veton ndaj çdo vendimi të presidentit që \"do të ndryshonte ndjeshëm\" politikën e jashtme të ShBA-së lidhur me Rusinë.
Shtëpia e Bardhë la të kuptohet të dielën se presidenti Donald Trump do ta pranonte ligjin e ri, me gjithë kundërshtimet fillestare.