SHBA mbështet zgjidhjen e drejtë në bisedimet Kosovë - Serbi
Bruksel, 2 prill - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot në Bruksel me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Takimi është zhvilluar në prag të takimit të kryeministrit Hashim Thaçi me kryeministrin serb Ivica Daciq.
Gjatë takimit, kryeministri Thaçi dhe ndihmës sekretari Reeker kanë biseduar për pritjet nga procesi i dialogut të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se arritja e marrëveshjes eventuale me kryeministrin Ivica Daciq, do të hap rrugë për normalizim e raporteve në mes të dyja vendeve dhe do të shënojë fillimin e mbylljes së kapitullit të konflikteve dhe njëkohësisht fillimin e hapjes së kapitullit të bashkëpunimit dhe të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker ka shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përkrahur dialogun dhe zgjidhjen e drejtë të të gjitha çështjeve të hapura në mes të dy vendeve.
Reeker theksoi se SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë për të ecur përpara drejt integrimit evropian dhe fqinjësisë së mirë.