SHBA mbështesin çdo qeveri të Kosovës të dalur nga qytetari
Washington, 30 dhjetor - Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman, tha se përderisa të mos provohen akuzat që ngriten në raportin e Dick Martyt, administrata amerikane do të mbështesë çdo Qeveri në Kosovë që zgjidhet nga qytetarët e vendit.
Ai tha për BBC-në se SHBA-ja e merr seriozisht raportin e Martit dhe se mbështet rekomandimet e tij që EULEX-i të hetojë çështjet e ngritura. Countryman tha se raporti i Martyt e dëmton reputacionin e Kosovës, por i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës që çështjet e ngritura në raport të hetohen, të verifikohen ose të hidhen poshtë sa më shpejt.
Ndërkaq, sa u përket zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme në vend, ai i cilësoi si më të suksesshmet dhe më të drejtat që Kosova ka zhvilluar, megjithëse tha se janë shënuar edhe probleme serioze në disa qendra.
Duke folur për dialogun mes Prishtinës e Beogradit dhe rolin e autoriteteve serbe në veriun e Kosovës, Countryman tha se fillimisht presim që Kosova dhe Serbia të ulen në tryezë dhe të diskutojnë se si të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Të dyja qeveritë kanë përgjegjësi që të arrijnë zgjidhje praktike dhe kreative, ka thënë mes tjerash Countryman.