SHBA: Marrëveshjet përmirësojnë jetën e popullit në Kosovë e Serbi
Washington, 26 gusht - Departamenti amerikan i shtetit i ka uruar liderët e Serbisë dhe Kosovës dhe delegacionet e tyre, për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme, të lehtësuara nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë mbrëmë zëdhënësi, John Kirby.
Mëtutje, në faqen në Internet të Departamentit amerikan të shteitit, zëdhënësi Kirby e lavdëron edhe zonjën Mogherini dhe ekipin e saj.
Marrëveshjet e finalizuara për energji, telekomunikime, krijimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave serbe, dhe për Lirinë e lëvizjes/Ura e Mitrovicës, do ta përmirësojnë jetën e popullit në të dy vendet, po ashtu, thuhet në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara i lavdërojnë të dy qeveritë për progresin e arritur në plotësimin e përkushtimeve, që janë bërë në Marrëveshjen e Brukselit dhe për ujditë në Dialog, që i lëvizin përpara vendet e tyre më afër normalizimit të raporteve së bashku me rrugën përkatëse në BE, thotë zëdhënësi, John Kirby, dhe shton se Shtetet e Bashkuara, po ashtu, e përshëndesin dedikimin e të dy palëve në këtë proces dhe do të vazhdojnë që fuqishëm ta mbështesin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.