SHBA kërkon nga Rusia më tepër kohë për mbylljen e USAID-it

Washington, 21 shtator - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se kanë kërkuar nga Rusia më tepër kohë për përfundimin e punës së Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në këtë vend.
Autoritetet e Rusisë i kanë dhënë afat Uashingtonit, që deri më 1 tetor ti mbyllin operacionet e USAID-it në Rusi, duke e akuzuar se ka synuar ndikim në zgjedhjet ruse nëpërmjet granteve.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, tha mbrëmë vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar Rusisë se nuk do të ketë kontrata të reja, programe të reja, prej 1 tetorit, por është kërkuar më tepër kohë për ta përfunduar misionin dhe për ti mbyllur programet që janë në zhvillim e sipër.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme ruse, Aleksander Lukasheviq, tha se Moska mbetet në qëndrimin e saj se vendimi është marrë dhe se ky vendim i shtetit sovran, duhet të kryehet.