SHBA ka përgjuar telefonatat e 35 liderëve botërorë
Washington, 25 tetor - Një raport i ri thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjuar thirrjet telefonike të 35 udhëheqësve botërorë.
Ende vazhdojnë polemikat rreth pohimeve se Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka përgjuar telefonin celular të Kancelares gjermane Angela Merkel.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle ka thirrur ambasadorin amerikan në Berlin për të diskutuar mbi këtë çështje.
Gjatë një bisede telefonike, Presidenti Barak Obama i tha Kancelares gjermane Angela Merkel se Shtetet e Bashkuara nuk kanë përgjuar dhe as do të përgjojnë thirrjet e saj telefonike.
Sipas një deklarate të zëdhënësit të zonjës Merkel, Kancelarja gjermane ia kishte bërë të qartë zotit Obama se \"ajo i sheh praktika të tilla ... si krejtësisht të papranueshme dhe i dënon ato pa mëdyshje\".
Raporti në gazetën britanike Guardian citon një dokument të vitit 2006, i cili është nxjerrë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.
Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.
Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit.
Zbulimi vjen në kohën kur në Gjermani ka shpërthyer zemërimi për shkak të dyshimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrje telefonike të kancelares Angela Merkel.
Të enjten, Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar se ka përgjuar telefonin e Merkelit, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen.