SHBA-ja e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë
Uashington, 2 dhjetor - Është e pamundur të flitet për kontinentin evropian si një njësi e tërë, e lirë, demokratike dhe në paqe, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet parë edhe politika amerikane ndaj këtij rajoni, ka deklaruar, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker.
Reeker ka theksuar se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor e ardhmja e rajonit është në radhët e BE-së.
Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara, qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjën apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë, ka thënë ai.
Për arritjen e kësaj perspektive, zyrtari amerikan thekson se rruga e vetme mbeten reformat dhe dialogu.
Ai ka deklaruar se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, paraqesin shqetësim të përbashkët të të gjithë anëtarëve të NATO-s.
Ritheksoj se përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është krejtësisht i papranueshëm. Ne dënojmë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, ka theksuar Reeker.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, përshëndeti deklaratën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiq, që bëri thirrje për largimin e barrikadave në kufirin e Kosovës me Serbinë, raporton Zëri i Amerikës .
Reeker e ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e deritashëm të Prishtinës, por u bëri thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe.