SHBA: Hyrja e Serbisë në NATO, e vështirë
Beograd, 10 shkurt - Në një intervistë që ambasadorja e re e SHBA-së në Beograd, Meri Vorlik, i dha këto ditë agjencisë serbe të lajmeve, Beta, vuri në dukje se SHBA-ja i mbështet plotësisht aspiratat europiane dhe euroatlantike të Serbisë dhe se do të bëjë gjithçka që të mbështesë përpjekjet e saj në këtë drejtim.
Sidoqoftë, ajo nuk tha asgjë lidhur me kohën e hyrjes eventuale të Serbisë në BE, ndërsa theksoi se, pas disa hapave pozitive të ndërmarra në fund të vitit të kaluar, përfshi paraqitjen nga ana e saj të kërkesës për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Europian dhe heqjen nga BE-ja të regjimit të vizave me vendet e zonës së Shengenit për qytetarët e saj, Serbia po ecën në rrugën e duhur dhe se koha për këtë anëtarësim do të varet nga synimet dhe aspiratat e vetë Serbisë, si edhe nga fakti sesa do ti përmbushë ajo kriteret e përcaktuara.
Pyetjes nëse anëtarësimi në NATO do të jetë i dobishëm për procesin e integrimit europian të Serbisë, ambasadorja Vorlik iu përgjigj, duke theksuar se ky është një vendim, që duhet ta marrë vetë Serbia. Mendoj se është e rëndësishme që të jemi krejt të qartë se dyert për anëtarësimin e Serbisë në NATO janë të hapura, por se i takon vetë Serbisë që të vendosë për këtë, tha Vorlik, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes NATO-s dhe Serbisë nëpërmjet programit të partneritetit për paqe është mjaft i rëndësishëm dhe se, në kuadrin e këtij programi duhet të intensifikohen aktivitetet me pjesëmarrjen e saj, gjë që do të jetë me dobi për Serbinë.
Besojmë se anëtarësimi i Serbisë në NATO, padyshim, do të kishte një rëndësi të madhe. Por ne, në të njëjtën kohë, e kuptojmë se kjo është një çështje e vështirë, tha ambasadorja amerikane. Në përgjigje të pyetjes se në cilën mënyrë SHBA-ja do të mund ta mbështesin procesin e integrimit europian të Serbisë, Vorlik theksoi se një numër i madh programesh ndihme, tanimë, në një masë të konsiderueshme, janë fokusuar te reformat që janë të domosdoshme të kryhen nga Serbia në rrugën e saj drejt anëtarësimin në BE. Në bashkëpunim me qeverinë serbe dhe me kolegët e BE-së, ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër që ta mbështesim vazhdimin e këtij procesi në fushat e krijimit të shtetit ligjor, të reformave ekonomike dhe të tjera, tha ajo.
E pyetur lidhur me rolin që Serbia luan në rajonin e Ballkanit, ambasadorja Vorlik vuri në dukje se Serbia ka një rol të rëndësishëm në rajon dhe se është në interes të saj që të përqendrohet te zgjidhja e çështjeve të hapura me të gjitha vendet fqinje me të. Mendoj se Serbia mund të japë një kontribut të rëndësishëm, si për stabilitetin e rajonit, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të tij, nga i cili do të përfitonin të gjithë, ajo vetë dhe vendet e rajonit, vlerësoi ajo.
Sa i përket çështjes së Kosovës, në intervistën e saj dhënë agjencisë serbe të lajmeve, Beta, znj. Meri Vorlik, e cila e filloi detyrën e ambasadores së SHBA-së në Beograd në fund të muajit janar të këtij viti, vuri në dukje se Uashingtoni dhe Beogradi tanimë kanë rënë dakord se nuk janë dakord për Kosovën, duke theksuar se kjo, megjithatë, nuk do të thotë se me zyrtarët serbë nuk mund të bisedohet për shumë çështje të tjera, për të cilat ekziston një interes i përbashkët. Për SHBA-në çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur tanimë, por Amerika ka bindjen e fortë se është në interes të Serbisë që të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës dhe me krijimin e një shteti ligjor e të një sistemi gjyqësor për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim ne mund të bashkëpunojmë, tha ajo.
Pyetjes se si e sheh ajo rolin e Serbisë kur është fjala për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, që ngjall shqetësim edhe në SHBA dhe BE, znj. Vorlik tha se Bosnjë-Hercegovina është një vend fqinj i rëndësishëm për Serbinë, e cila duhet të luajë një rol të veçantë, duke qenë se është një nga vendet garante të Marrëveshjes së Dejtonit. Është në interes të Serbisë që Bosnja të jetë e suksesshme në kuptimin politik e ekonomik dhe në kuptimin e stabilitetit rajonal. Serbia duhet të mbështesë aspiratat e Bosnjës europiane. Kam mendimin se autoritetet serbe e kuptojnë dhe e mbështesin këtë, theksoi ambasadorja e re amerikane në Beograd.