SHBA e Rusia, dallime për Kosovën dhe përmbylljen e UNMIK-ut
Washington, 17 gusht - Tensionet në rritje në marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë e shtynë presidentin amerikan, Barack Obama që të anulojë takimin kokë më kokë e planifikuar në shtator në Moskë me kryeministrin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në një konferencë për shtyp ditë më parë, presidenti Obama mbrojti vendimin e tij, për një pauzë në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Moskës, sepse, siç tha, nuk janë shënuar përparime në çështje të rëndësishme.
Kësaj ftohje i kanë kontribuuar edhe dallimet që kanë rreth luftës civile në Siri, pastaj, dhënia e strehimit në Moskë ish-kontraktorit të zbulimit amerikan, Edward Snowden, që bëri publike sekrete qeveritare.
Obama ka thënë se ishte i zhgënjyer që Rusia i ofroi strehim Snowden-it, ish-kontraktor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Amerika dhe Rusia kanë pasur dallime fundamentale prej afro dy dekadash edhe rreth Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe pavarësisë.
SHBA bashkë me aleatët perëndimorë nxorën çështjen e Kosovës nga dhëmbëzorët e Kombeve të Bashkuara, duke njohur realitetin e zhvillimeve që kulmoi me njohjen e pavarësisë së saj.
Rusia si vend anëtar i përhershëm i OKB-së në anën tjetër, si një mentor dhe aleat i Serbisë, vazhdon të mbajë peng Kosovën brenda rezolutës 1244 dhe përmbylljen e vonuar të Misionit të UNMIK-ut, që është bërë pengesë edhe e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
/RTK/