SHBA do të përgjigjet shpejtë dhe ashpër nëse Rusia dërgon forca në Ukrainë
Berlin, 21 janar - Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të enjten se do të ketë një përgjigje "të shpejtë dhe të ashpër" nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nëse Rusia dërgon forca ushtarake në Ukrainë.
Komentet e zotit Blinken në Berlin duket se përfaqësojnë një tjetër përpjekje për të qartësuar ndonjë konfuzion të mundshëm për pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate të NATO-s, pasi Presidenti Joe Biden u kritikua gjerësisht për frazën se "një ndërhyrje e vogël" nga Rusia do të merrte një përgjigje më të ulët.
"Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni ndaj Ukrainës, ato do të marrin një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë", tha Sekretari Blinken gjatë një konference për shtyp me homologen e tij gjermane.
Në vazhdim, Sekretari Blinken e akuzoi Rusinë se po rrezikon themelet e rendit botëror me grumbullimin e rreth 100 mijë forcave ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Ai tha se Rusia duhet të përballet me një përgjigje të koordinuar dhe të ashpër globale në rast se pushton Ukrainën.
Paralajmërimi i ashpër u bë nga Berlini, qyteti dikur i ndarë që ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit. Sekretari Blinken përgatitet të takohet të premten në Gjenevë me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, në kuadrin e përpjekjeve për të ulur tensionet që nuk duket se do të jenë të suksesshme.
"Çështjet me të cilat po përballemi janë të vështira, dhe zgjidhja e tyre nuk do të bëhet me shpejtësi", tha Sekretari Blinken. "Sigurisht që nuk pres t'i zgjidhim nesër në Gjenevë".
Sekretari Blinken tha se veprimet e Rusisë kundër Ukrainës janë një përpjekje për të përmbysur normat ndërkombëtare dhe janë vetëm shkelja më e fundit ndër disa të tilla që Moska ka ndërmarrë në kundërshtim me traktate, marrëveshje dhe angazhime të tjera të panumërta ndërkombëtare, në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të tjera.
"Nëse i lejojmë Rusisë t'i shkelë këto parime pa u ndëshkuar, kjo do të na tërhiqte të gjithëve pas në kohëra shumë më të rrezikshme dhe të pasigurta, kur ky kontinent, dhe ky qytet, ishin të ndarë më dysh, të ndarë me tokë asnjëanëse në mes ku patrullonin ushtarë, me kërcënimin e një lufte frontale që luhatej mbi jetën e të gjithëve", i tha Sekretari Blinken audiencës në Akademinë e Shkencave Berlin-Brandenburg. "Do t'i dërgonte gjithashtu mesazhin të tjerëve në mbarë botën se këto parime nuk janë të paprekshme".
"Ne nuk do t'i trajtojmë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial si të negociueshme", tha ai, duke shtuar se situata është "më e madhe se thjesht një konflikt midis dy vendeve, dhe më e madhe se një përplasje midis Rusisë dhe NATO-s. Është një krizë me pasoja globale. Dhe kërkon vëmendje dhe veprim global".
Fjalimi u mbajt pasi Sekretari Blinken dhe kryediplomatët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Berlin për të projektuar një front të përbashkët përballë Rusisë, të shqetësuar se ajo mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës. Një ditë më parë, ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas për të diskutuar rreth këtij rreziku.