SHBA do të nisë ndërtimin e 5 bazave ushtarake në Filipine
Manila, 27 janar - Ministri i mbrojtjes i Filipineve, Delfin Lorenzana deklaroi të enjten se sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2014 midis SHBA-së dhe Filipineve mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, këtë vit ushtria amerikane do të nisë ndërtimin e 5 bazave ushtarake në Filipine.
Kushtetuta e Filipineve ndalon ndërtimin e bazave të huaja ushtarake në territorin e vendit, por sipas marrëveshjes dypalëshe të vitit 2014, jo vetëm lejohen trupat amerikane të përdorin bazat ushtarake të Filipineve, por edhe mund të ndërtojnë instalime të bazave ushtarake dhe të dislokojnë armë.
I pyetur për qëndrimin e presidentit filipinas Duterte për këtë, ministri Lorenzana tha se Duterte është në dijeni dhe respekton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e mëparshme.
Presidenti Duterte ka ripërsëritur kundërshtimin ndaj manovrave të përbashkëta ushtarake filipino-amerikane dhe dislokimin e trupave amerikane në Filipine. Në 12 tetor të vitit të kaluar Duterte u shpreh se kishte urdhëruar ministrin e mbrojtjes Lorenzana për të ndaluar manovrën e përbashkët ushtarake filipino-amerikane të vitit 2017, por njëherësh theksoi se Filipinet nuk dëshirojnë të anulojnë aleancën ushtarake me SHBA-në.