SHBA do të forcojnë kërkimet në fushën e armëve hipersonike
Washington, 29 dhjetor - Shtetet e Bashkuara do të forcojnë kërkimet në fushën e armëve hipersonike sulmuese dhe mbrojtëse, si përgjigje ndaj një prove të kryer nga Rusia me raketë hipersonike me aftësi bërthamore.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Mbrojtjes Michelle Baldanza, i tha Zërit të Amerikës se "ata që kanë vendosur të armatosen me këto lloj raketash, po krijojnë një asimetri luftarake së cilës i duhet dhënë zgjidhje".
Presidenti rus Vladimir Putin mbikqyri provën e kryer të mërkurën me armën hipersonike të quajtur Avangard, duke thënë se ajo është e pamundur të interceptohet dhe se do të ishte garanci për sigurinë e vendit për dekada të tëra.
Presidenti Putin përshëndeti provën e suksesshme me raketën hipersonike, duke e cilësuar atë si një dhuratë të mrekullueshme për vendin me rastin e Vitit të Ri.
Ai tha se vitin e ardhshëm arma do të bëhet pjesë e Forcave Raketore Strategjike të Rusisë.