22 Dhjetor 2024

SHBA dhe BE duhet të rrisin angazhimin në Ballkan

Washington, 14 qershor - Ballkanit i kanoset një dramë e re në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk ndërmarrin hapa drastike për të shtyrë përpara procesin e integrimit të këtyre vendeve në BE.

Në këtë përfundim arrin analisti i Institutit amerikan të Paqes, Daniel Server. Zoti Server e shoqëron parashikimin e tij me një listë recetash për të shmangur kriza dhe për të përshpejtuar integrimin. Ai i diskutoi propozimet e tij në një intervistë me kolegen e Shërbimit Boshnjak të Zërit të Amerikës Amra Alirejsoviç.

Ajo që duhet sqaruar pikë së pari, thekson analisti Daniel Server, është se nuk mund të ketë normalizim apo përparim në çështje teknike mes Beogradit dhe Prishtinës, pa pasur një kontakt konkret mes udhëheqësve të të dy vendeve. Për këtë ai i sugjeron presidentit Sejdiu të ftojë për një vizitë kortezie presidentin e Serbisë Boris Tadiç:

“Mendoj se ka ardhur koha për një takim mes Sejdiut dhe Tadiçit në Prishtinë. Mendoj se është shumë e vështirë të bëhet përparim në një numër çështjesh të rëndësishme për Beogradin dhe Prishtinën, pa u thyer akulli në krye. Zyrtarët në nivelet më të ulëta, qoftë edhe ministrat nuk ndjehen të lirshëm të takohen dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin nëse nuk ka takime në krye”.

Presidenti Tadiç shkon shpesh në Kosovë, pasi aty ka një popullatë serbe me probleme pasigurie, shprehet analisti. Por nëse shkon në Kosovë, duhet të shkojë edhe në Prishtinë, të shprehë respektin e tij për udhëheqjen e Kosovës. Ky është një hap normal, por edhe i domosdoshëm, pasi kërkohet nga BE-ja për vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Kosova është pa diskutim një fqinj me të cilin Serbia duhet të vendosë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, thotë zoti Server.

Për të kapërcyer pengesat që mund të hasë secila palë në marrjen e këtij hapi, ai u propozon udhëheqjeve përkatëse që ta interpretojnë vendimim nga këndvështrimi i tyre specifik:

“Në rastin e zotit Sejdiu, ai mund ta paraqesë këtë si shenjë respekti e një udhëheqësi të zgjedhur në mënyrë demokratike, të një territori sovran, ndaj një udhëheqësi fqinj. Nga ana e tij, zoti Tadiç mund ta paraqesë si një vizitë respekti ndaj një udhëheqësi të zgjedhur në mënyrë demokratike për një territor që mbetet pjesë e Serbisë. Dy palët mund ta tolerojnë këtë dyzim dhe do t’i ndihmonte të ecin më shumë përpara”.

Tani janë pjekur kushtet për të analizuar seriozisht situatën dhe për të identifikuar rrugën drejt të ardhmes. Beogradi, thekson analisti është treguar shumë më i hapur këto kohë ndaj çështjes së Kosovës. Është bërë e qartë se Serbia ka hequr dorë nga presioni ndaj vendeve të tjera për të zhbërë njohjen e Kosovës. Ajo që kërkon të arrijë në këto momente Beogradi, sipas analistit Server, është të negociojë kushte më të mira për vete, më konkretisht për shkëmbim territori. Kjo ide po diskutohet në shumë qarqe politike në Beograd, megjithëse askush në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara nuk do të dëgjojë teorinë e ri-përcaktimit të kufijve në Ballkan. Por në fund të fundit, thotë analisti, këto janë çështje që u përkasin dy vendeve sovrane dhe diskutimi i tyre mund të çonte përpara dialogun Serbi-Kosovë.

“E vetmja mënyrë është shqyrtimi i kësaj çështjeje nga të dy palët, Beogradi dhe Prishtia. Dhe faktikisht, në mënyrë që të diskutohet kjo çështje në nivelin dypalësh, duhet që Beogradi të njohë sovranitetin e Kosovës së paku de facto”.

Analisti nuk është optimist për ndonjë zgjidhje që mund të dalë nga negociata të tilla. Çdo ide për shkëmbim territoresh duhet të shoqërohet me garanci të forta se nuk do të sjellë destabilizim në Bosnje dhe Maqedoni, gjë që është e pagarantueshme. Megjithatë, thotë zoti Server, për momentin ka rëndësi që Beogradi dhe Prishtina të ulen të diskutojnë për çdo ide të mundshme, përfshirë edhe idenë e ri-përcaktimit të kufijve. Rezultati më i vlefshëm i këtyre negociatave, parashikon ai, do të ishte eliminimi i kësaj teze nga lista e zgjidhjeve.

Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, zgjidhja përfundimtare mbetet integrimi evropian. Ka ardhur koha që udhëheqja politike si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd ta dëgjojë mesazhin e popullatës. Kjo periudhë kërkon guxim, kërkon vendime të vështira politike, që situata konkrete i bën të domosdoshme, thotë zoti Server:

“Është krejt e qartë se shtetasit e Serbisë janë të gatshëm të zgjedhin BE-në, krahasuar me Kosovën. Nuk ka pasur ndonjë anketim në Serbi që të tregojë se Kosova është përparësi kryesore për serbët. Udhëheqja politike e Serbisë i trembet mundësisë që humbja e Kosovës do të dëmtonte perspektivën e tyre politike. Fakti është se kjo udhëheqje duhet të bëjë një zgjedhje”.

Pa një zgjedhje të tillë të guximshme, pra pa një normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të flitet për perspektivë evropiane të këtyre vendeve, thotë zoti Server. Nuk ka asnjë mundësi që BE-ja ta importojë këtë problem brenda kufijve të saj. Rruga drejt BE-së thotë analisti Daniel Server, kalon përmes masave të fqinjësisë së mirë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)