SHBA dënon me forcë sulmet ruse me raketa
Washington, 10 tetor - Presidenti amerikan, Joe Biden i dënoi sulmet me raketa ruse të së hënës në gjithë Ukrainën, më të mëdhatë që kur filloi lufta, duke thënë se ato kishin në shënjestër civilët dhe nuk i shërbenin asnjë objektivi ushtarak.
Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të vazhdojnë të imponojnë kosto ndaj Moskës.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet me raketa sot në të gjithë Ukrainën, përfshirë në Kiev. Këto sulme vranë dhe plagosën civilë dhe shkatërruan objektiva pa ndonjë synim ushtarak”, tha zoti Biden në një deklaratë.
“Ato demonstrojnë edhe një herë brutalitetin e tmerrshëm të luftës së paligjshme të zotit Putin ndaj popullit ukrainas,” tha presidenti amerikan një deklaratë.
“Këto sulme vetëm e përforcojnë më tej angazhimin tonë për të qëndruar me popullin e Ukrainës për aq kohë sa duhet,” tha zoti Biden.
“Përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë, ne do të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto për agresionin e saj, do të mbajmë presidentin Putini dhe Rusinë përgjegjës për mizoritë dhe krimet e luftës dhe do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për forcat ukrainase për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre”, vazhdon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se në një telefonatë me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba kishte përsëritur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën pas sulmeve të Kremlinit që ai i quajti të tmerrshme.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë të palëkundur ekonomike, humanitare dhe të sigurisë në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet dhe të kujdeset për njerëzit e saj”, tha ai në Twitter.
Ndërsa në një deklratë ai tha se shpreh ngushëllimet e mia më të thella për qytetarët e Ukrainës që kanë humbur të dashurit e tyre duke thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ta.
Ai tha se sulmet e Rusisë janë një tjetër kujtesë se lufta e saj kundër Ukrainës paraqet një çështje të thellë morale.
“Asnjë person me ndërgjegje – dhe asnjë vend parimor – nuk mund të mos prekej nga shkatërrimi që shkakton ky tmerr. Ukraina, si çdo vend tjetër në mbarë botën, ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e saj dhe të jetojë në paqe brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.
Zoti Blinken shtoi se këto sulme nuk mund të thyejnë as shpirtin e Ukrainës dhe as vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën.
“Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë të bëjë të qartë se veprimet e Presidentit Putin janë plotësisht të papranueshme. Tani është koha për të ngritur zërin në mbështetje të Ukrainës; nuk është koha për abstenime, fjalë zbutëse ose ekuivokime nën pretendimet për neutralitet. Parimet thelbësore të Kartës së OKB-së janë në rrezik”, tha ai duke shtuar se ka vetëm një agresor në këtë luftë, Rusia.
“Vetëm një vend e përshkallëzon këtë luftë përmes tentativave për aneksime të tokës së Ukrainës dhe sulmeve të përsëritura ndaj civilëve: Rusia. Vetëm një person mund ta ndalojë këtë luftë tani dhe të tërheqë forcat ruse, Vladimir Putin”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 16.8 miliardë dollarë ndihmë amerikane për sigurinë e Ukrainës që kur Rusia filloi agresionin ndaj fqinjit të saj që më 24 shkurt dhe ka vendosi një gamë të gjerë sanksionesh ekonomike ndaj Moskës për veprimet e saj në Ukrainë.