SHBA bën thirrje për qetësi në veri

Washington, 17 shtator - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë të shmangin veprimet e dhunshme në veri të vendit.
Ne jemi sinqerisht të shqetësuar me situatën atje. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çdo lloj i retorikës nxitëse , ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner.
Komentet e tij vijnë pas vendosjes së doganierëve dhe policëve të Kosovës e të EULEX-it në vendkalimet kufitare në veri, si dhe bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë atje.
Toner ka mirëpritur përpjekjet e KFOR-it dhe të policisë evropiane për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në kufirin Kosovë-Serbi.
Është e kuptueshme se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është në interes të Kosovës dhe Serbisë. Andaj, çdo postbllok dhe barrikadë shërben vetëm për të penguar dhe kufizuar jetën e përditshme të popullit të Kosovës e të Serbisë, ka thënë Toner.