SHBA bën thirrje për qetësi në Mitrovicë
Washington, 11 nëntor - Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes zëdhënësit ka kërkuar ndërprerjen e dhunës dhe vendosjen e qetësisë në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
Në konferencën për media duke folur për incidentin tek Kroi i Vitakut në Mitrovicë, ku u vra një dhe u plagosën dy serbë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ripërsëriti qëndrimin e Washingtonit për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.
Ne në përgjithësi duam të shohim qetësi dhe jo dhunë\", tha zëdhënësi, Mark Toner.
Në New York ndërkaq zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Martin Nesirky tha se autoritetet kompetente në Kosovë duhet të bëjnë hetim të plotë lidhur me rrethanat e incidentit.
Zëdhënësi Nesirky përsëriti atë që kishte thënë edhe shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif se incidentet e tilla ishin të papranueshme dhe mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës.