SHBA autorizon 800 milionë dollarë ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën
Washington, 13 prill - Shtetet e Bashkuara njoftuan autorizimin e 800 milionë dollarëve ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës, ndërsa udhëheqësi Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë për të mposhtur forcat ruse.
"Kjo paketë e re ndihme do të përmbajë shumë nga sistemet mjaft efektive të armëve që kemi ofruar tashmë dhe aftësi të reja të përshtatura për sulmin më të gjerë që presim që Rusia të ndërmarrë në Ukrainën lindore", thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë pasi presidenti Biden telefonoi presidentin Yelenskyy për ta infromuar për ndihmën.
Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se forcat ukrainase kanë marrë "një sasi të konsiderueshme" të 100 të ashtuquajturve dronëve asgjesues, të pajisur me koka mbushëse për të goditur tanket, e që janë premtuar si pjesë e një pakete të mëparshme ndihme për sigurinë prej 300 milionë dollarësh.
Dronët e mbetur pritet të mbërrijnë në Ukrainë javën e ardhshme, ashtu si edhe raketat shtesë antitank Javelin.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Boris Johnson "pohuan angazhimin e tyre për të vazhduar sigurimin dhe ndihmën humanitare për Ukrainën përballë mizorive të vazhdueshme nga Rusia", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të martën.
Presidenti Biden gjithashtu përshkallëzoi retorikën kundër Rusisë, duke akuzuar presidentin Vladimir Putin për organizimin e një "gjenocidi" në Ukrainë.
"Buxheti i familjeve tuaja, aftësia juaj për të mbushur serbatorin e makinave, nuk duhet të varet nga fakti nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid në anën tjetër të botës," tha zoti Biden gjatë një vizite në shtetin amerikan të Ajovës për të promovuar një program për të ndihmuar në uljen e çmimeve të benzinës.
Presidenti amerikan më vonë mbrojti vendimin e tij për të etiketuar veprimet e Rusisë si gjenocid ndërsa foli me gazetarët përpara se të hipte në avionin Air Force One.
“E quajta gjenocid sepse është bërë gjithnjë e më e qartë se Putini thjesht po përpiqet të fshijë idenë e të qenurit në gjendje të jetë ukrainas dhe provat po shtohen”, tha Biden.
"Ne do t'i lëmë avokatët të vendosin ndërkombëtarisht nëse kualifikohet si e tillë, por sigurisht që mua kështu më duket," shtoi ai.
Presidenti Biden e ka kritikuar vazhdimisht Putinin, duke e quajtur publikisht një "kriminel lufte" dhe duke kërkuar që ai të dalë në gjyq pasi u zbuluan prova të mizorive në Buça, në periferi të kryeqytetit ukrainas.
"T’i quash gjërat me emrat që kanë është thelbësore për t'i bërë ballë të keqes," shkruante presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Twitter të martën vonë. "Ne jemi mirënjohës për ndihmën e ofruar nga SHBA-ja deri më tani dhe kemi nevojë urgjente për më shumë armë të rënda për të parandaluar mizoritë e mëtejshme ruse."
Pentagoni po zhvillon një takim të klasifikuar të mërkurën me krerët e kontraktorëve më të mëdhenj të mbrojtjes amerikane për të diskutuar plotësimin e nevojave të Ukrainës për armë. Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks u tha gazetarëve se do të marrë pjesë në bisedime.