SHBA, alarm për sulme terroriste para dhe gjatë zgjedhjeve
Washington, 5 nëntor - Shërbimet sekrete amerikane kanë lëshuar të dje në mbrëmje alarmin për rrezik terrorist më datat 7 dhe 8 nëntor.
Mendohet se Al-Kaida, përgjegjëse e sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër Pentagonit dhe Qendrës Botërore Tregtare (WTC), mund të ketë planifikuar sulme terroriste të njëkohshme në tri shtete amerikane për të sabotuar zgjedhjet presidenciale.
Në shënjestër mendohet të jenë Nju-Jorku, Teksasi dhe Virgjinia, bëjnë të ditur mediat më prestigjioze në SHBA, me në krye rrjetin kombëtar të transmetimeve NBC.
Megjithatë Zyra Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti amerikan i Sigurisë së Brendshme nuk kanë bërë asnjë deklaratë, që mund të konfirmonte paralajmërimet në fjalë për sulme terroriste.
Jemi duke vlerësuar saktësinë e këtyre informacioneve, tha nga ana e tij Bill de Blasio, kryebashkiak i Nju-Jorkut, në një dalje publike pas alarmit për rrezik terrorist.
De Blasio bëri me dije gjithashtu se një numër i madh policës do të jenë të gatshëm për garantuar sigurinë e Maratonës së Nju-Jorkut, që do të zhvillohet të dielën, më 6 nëntor.
Kurse Steve Coleman, zëdhënës i Autoritetit të Porteve të Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit, theksoi se niveli i sigurisë do të vazhdojë të jetë i lartë në aeroporte, porte detare, ura dhe tunele.
Nga ana tjetër, qeveria amerikane i druhet një sulmi kibernetik të gjerë me synimin për të krijuar kaos ditën e zgjedhjeve presidenciale, të martën më 8 nëntor.
Për ti paraprirë këtij rreziku është duke u bërë një sforcim i paprecedent, i koordinuar nga vetë Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, mbështetur nga Pentagoni dhe agjencitë kryesore të shërbimeve sekrete, CIA dhe NSA, thekson nga ana e tij televizioni NBC, që citon funksionarë pranë administratës Obama.