SHBA akuzohet për fushatë të shpifjeve
Moskë, 26 korrik - Ministria e jashtme e Rusisë i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po zhvillojnë fushatë të vazhdueshme të shpifjeve kundër Rusisë, lidhur me krizën në Ukrainë.
Sipas një kumtese të sotme të Ministrisë së jashtme ruse, administrata e Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më tepër e udhëhequr nga gënjeshtrat flagrante në politikën e saj të jashtme.
Me këtë kumtesë pala ruse ka reaguar ndaj akuzave të Uashingtonit se Moska ishte për tu fajësuar për rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë në pjesën lindore të Ukrianës, nga separatistët e dyshuar të mbështetur nga Rusia. Ministria e jashtme e Rusisë tha se Uashingtoni ka dështuar të paraqes ndonjë provë për ti arsyetuar pretendimet e veta.
Ajo, poashtu, thotë se duke vazhduar ta shtyjë Kievin në represion të popullatës së pakënaqur rusishtfolëse në Ukrainë, administrata e Shteteve të Bashkuara e ka një lloj të përgjegjësisë për konfliktin e brendshëm në Ukrainë dhe konsekuencat e saja të rënda.