Sfida e Kosovës mbetet krimi i organizuar
Prishtinë, 12 tetor - Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, po prezanton para anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të marrin statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Ka pasur zhvillime pozitive dhe jo shumë të mira sidomos mes Kosovës e Serbisë dhe kërkojmë që bisedimet të nisin, tha Fule. Më pas komisionari evropian raportoi për progresin e secilit vend të Ballkanit Perëndimor.
Fule propozoi fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në dhjetor të 2011. Sfidë për Kosovën mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe reformimi i administratës.
Fule u ndal dhe në situatën në veri të Kosovës. Ka pasur tensione në veri të Kosovës, tha Fule duke i kërkuar Prishtinës të ketë agjendë për veriun.
Për sa i përket Malit Zi, Fule tha se duhet të hapen negociatat
Ka punuar shumë. Kemi parë progres të vërtetë, duke përfshirë reformat gjyqësore, ligjin e medias, elektoral, antidiskriminimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Propozoj sot të hapen negociatat me Malin e Zi, por duhet të vazhdojë me reformat dhe të konsolidojë progresin, tha Fule.
Fule propozon dhënien e statusit të vendit kandidat, Serbisë, por nuk do të të hapë bisedimet zyrtare të pranimit, deri sa Serbia dhe Kosova të normalizojnë lidhjet e tyre. Bisedimet do nisin në momentin kur Serbia të arrijë progres, kur të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, raportoi Fule.