Sewer: Greqia të ndryshojë politikën ndaj Maqedonisë dhe Kosovës
Çikago, 16 maj - Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka bërë thirrje që Maqedonia të marrë ftesë për Samitin e NATO-s në Çikago.
Ai ka thënë se në këtë samit nevojitet që Maqedonia dhe Greqia të angazhohen se do ta zgjidhin kontestin në një periudhë të caktuar kohore pas samitit.
Greqia sot është në situatë të pakëndshme. Është e qartë se ajo e shkel vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me emrin e Maqedonisë, dhe se eksporton jostabilitet drejt fqinjëve dhe miqve të saj, ka thënë Serwer.
Ai ka thënë se tensionet etnike në Maqedoni u rritën, pjesërisht edhe për shkak të pamundësisë së vendit për të hyrë në NATO.
Duke iu referuar deklaratave të politikanëve shqiptarë në Maqedoni, Serwer ka thënë se hyrja në NATO është e rëndësishme që të parandalohen thirrjet rritëse për krijimin e lëvizjes panshqiptare.
Serwer ka thënë se nacionalizmi shqiptar po rritet edhe në Kosovë, rreth çështjes së statusit të pjesës veriore të Kosovës. Sipas tij, ndarja eventuale e Maqedonisë apo e Kosovës do të reflektohej edhe në integritetin e Bosnjës, por edhe të Qipros.
Që këtu, refuzimi grek për ta pranuar Maqedoninë në NATO dhe refuzimin grek për ta njohur pavarësinë e Kosovës mund ta minojë njërin prej qëllimeve më të rëndësishme për Athinën, e ai është bashkimi i Qipros. Prandaj Greqia qetë duhet ta ndryshojë politikën dhe në samitin në Çikago të lejojë pranim nën emrin IRJM, me angazhim të fuqishëm se kontesti për emrin do të zgjidhet në një afat të caktuar kohor. Është koha që Athina të fillojë të eksportojë stabilitet, vlerëson Serwer.