Serwer: Serbia po ndjek politikën edhe BE edhe Kosova
Washington, 20 dhjetor - Analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer ka thënë se politika e Serbisë, edhe Bashkimi Evropian edhe Kosova nuk është reale.
Sipas tij, Serbia me insistimin e saj për sovranitet mbi Kosovën, nuk do të hyjë në BE, duke shtuar se këtë e kanë bërë me dije qartë edhe shumë shtete anëtare të BE-së.
Serwer, duke folur për pengesat me të cilat Serbia përballet aktualisht në rrugën drejt BE-së, në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, ka thënë se pengesa e drejtpërdrejtë është situata në veri të Kosovës, e cila sipas tij, duhet të zgjidhet para se Serbia të marrë statusin e kandidatit.
Po ashtu ai theksoi se ka edhe shumë çështje që Serbia duhet të zbatojë në vepra, si vendosja e marrëdhënieve të mira me Kosovën fqinje.
Pra Serbia duhet të zgjidhë çështjen e veriut të Kosovës sot, ndërsa në të ardhmen edhe çështjen e tërë Kosovës, është shprehur Serwer, transmetojnë mediat.
Sa i përket idesë që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet në një konferencë ndërkombëtare, Serwer thotë se ka një problem me atë ide, duke shtuar se statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur për 85 vende, që e njohin, e pritet që ndoshta 100 vende ta njohin në fillim të vitit të ardhshëm.
Madje, thotë Serwer, edhe vendet të cilat nuk e njohin Kosovën nuk e mohojnë që ajo do të mbetet sovrane dhe e pavarur.
Pra çështja nuk është pavarësia e Kosovës, por si të dalë Serbia nga kutia e izoluar diplomatike në të cilën është mbërthyer, thotë Serwer.