Serwer: Serbia ka pretendime ndaj tërë Kosovës
Washington, 25 mars - Analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer ka thënë se Serbia ka pretendime ndaj tërë Kosovës, dhe jo ndaj një pjese të saj.
Ndaj këtyre kërkesave Serwer ka propozuar që nga ana e shtetit të Kosovës të ketë të njëjta kërkesa ndaj shtetit serb, po aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë, të kenë edhe shqiptarët në Serbi.
Madje ai mendon se, ky dialog që po zhvillohet është më i ngutshëm për Serbinë, sesa për Kosovën për të arritur në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Kosova ka të drejtë që ti kërkojë tri gjëra; çdo marrëveshje të jetë në pajtim me marrëveshjen e Ahtisarit, çdo gjë që do që të fitojnë serbët në Kosovë, duhet të vlejnë edhe për shqiptarët etnikë në Serbi, dhe tre, asgjë të mos e pengojë përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, është shprehur Serwer në një intervistë për Kosova Sot.
Serwer ka shtuar se Serbisë po ngutet që të fillojnë negociatat për anëtarësimin në BE.
Për mua është e qartë se nevoja e Serbisë është më urgjente. Nuk mendoj se nisja e negociatave për MSA-në ta ketë rëndësinë e njëjtë në Kosovë, sikur që e ka nisjen e negociatave për anëtarësim e Serbisë,- ka theksuar analisti.