Serwer: Ka ende kohë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje
Washington, 4 prill - Eksperti Daniel Serwer thotë se deri në mes të prillit ka ende kohë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.
Ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se mungesa e një marrëveshjeje do të shkaktonte probleme për të dyja vendet lidhur me perspektivën e integrimit evropian, por shtoi se pasojat do të ishin më të rënda për Serbinë.
"Mendoj se një marrëveshje është e mundur por besoj se Zonja Ashton do të kërkojë që thjesht të pritet. Në Ballkan kurrë nuk është rënë dakord përveçse në çastin e fundit. Zonja Ashton ka kohë deri nga mesi i prillit për të paraqitur raportin e saj mbi bisedimet", ka theksuar Server
Prandaj sipas tij asaj do ti duhet të presë që palët të mendojnë mirë për atë që është në tryezë dhe të shohë nëse palët do ti pranojnë ato.
"Siç e kuptoj unë situatën, duket se Beogradi e ka më shumë problem ta pranojë atë se sa Prishtina. Kjo duket nga fakti se Thaçi ka bërë komente më optimiste sepse kur një zëvendëskryeministër i pales tjetër thotë do të japë dorëheqjen, ky nuk është një koment optimist", është shprehur ai.
Ai po ashtu mendon se ajo që është realiste të shpresohet është që Serbia ti jape fund fushatës kundër njohjes dhe pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai po ashtu nuk pret që Beogradi ta njohë menjëherë Kosovën, por sipas tij nuk mund të kesh marredënie normale fqinjësie kur bën fushatë kundër fqinjit.
Server thekson se pasojat për Serbinë janë mjaft dramatike, sepse ajo po pret datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Me sa kuptoj, bashkë me këtë date, Serbia shpreson të marrë edhe financime të rëndësishme për procesin e anëtarësimit", ka pohuar ai.
Përsa i përket Kosovës, shqetësimi sipas tij mund të ishte se Bashkimi Evropian do të ngadalësonte procesin e heqjes së vizave dhe bisedimet për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit mund të mos fillojnë menjëherë.
Këto janë problem për Kosovën. Por ato janë shumë më pak të mprehta se sa problemet që do të kishte Serbia nëse marrëveshja nuk arrihet.