24 Dhjetor 2024

Server: Kosova të kërkojë njohjen nga Serbia

Prishtinë, 8 shkurt - Qëllimi kryesor i Beogradit në bisedimet që pritet të fillojë së shpejti me Prishtinën, është opsioni i ndarjes së veriut të Kosovës, deklaron eksperti i njohur amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Server.

Server, gjatë një interviste për “Radio Kosovën”, deklaroi se koha për realizimin e kësaj ideje nuk do të vijë kurrë. Ai mendon se në dialogun e ardhshëm, Kosova duhet të kërkojë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Server mendon se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojnë, pavarësisht skepticizmit që ka një pjesë e opinionit në Kosovë.

“Në Prishtinë ka shumë njerëz skeptikë rreth fillimit të bisedimeve, pasi nuk shohin përfitime për Kosovën nga këto bisedime, ndërsa, në anën tjetër, shohin shumë mirë përfitimet që do të ketë Serbia."

Beogradi, përmes këtyre bisedimeve, do të provojë të sigurojë më shumë kredibilitet në kandidaturën për integrim në Bashkimin Evropian. Por, në këtë drejtim ka shumë çështje praktike që e pengojnë zhvillimin e Kosovës, përfshirë këtu çështjen e eksportit në Serbi. Për mua është krejt e natyrshme që dy kryeqytetet të diskutojnë rreth caktimit të kufirit të përbashkët, kudo qoftë ai kufi, etj.

"Dy kryeqytetet nuk duhet vetëm të flasin por edhe të fillojnë të zgjidhin problemet e shumta që kanë me njëri-tjetrin. E kuptoj qasjen e Kosovës për këtë çështje dhe mendoj se Kosova duhet të jetë e përgatitur të kërkojë çfarëdo që dëshiron në këto bisedime. Sipas meje, çështja që dëshirohet më shumë, është njohja e Kosovës nga Serbia, dhe nuk mendoj se njerëzit duhet të përmbahen nga kërkesa për atë që vërtet e duan”, thotë eksperti i njohur amerikan.

Sa i përket diskutimit për ndarjen e veriut të Kosovës, Server e sheh atë si dicka të pashmangshme për Beogradin.

“Është plotësisht e qartë se ky është njëri ndër qëllimet e Beogradit, dhe unë nuk kam ndonjë kundërshtim nga ngritja e kësaj çështjeje nga Beogradi në takimet me Prishtinën, qoftë në tryezën e bisedimeve, apo nëpër korridore. Mirëpo, unë mendoj se kjo është një ide shumë e keqe."

Ai ka theksuar se eshtë ide shumë e keqe për Serbinë, është ide shumë e keqe për Kosovën dhe mendoj se Beogradi duhet ta ketë parasysh se, çfarëdo që mund të kërkoj për pjesën veriore të Kosovës - do të gjenden politikanë në Prishtinë të cilët do të kërkojnë të njëjtat gjëra për Luginën e Preshevës.

Këto situata siq ka thene ai nuk janë plotësisht analoge dhe disa forca politike do të mundohen që këtë ta bëjnë të qartë dhe, prandaj, nuk mendoj se për këtë çështje do të ketë marrëveshje. Kjo për arsye se Serbia nuk do ta jep Luginën e Preshevës.

"Por, miqësisht thënë: madje edhe në situatën kur Prishtina dhe Beogradi do të mund të merreshin vesh, atëherë do të duhej të garantonin se zgjidhjet e tilla nuk destabilizojnë zona tjera në Ballkan, sidomos Maqedoninë dhe Bosnjën. Pra, mendoj se për këtë çështje nuk do të ketë marrëveshje dhe prandaj nuk u frikësohem diskutimeve për këtë çështje. E konsideroj ide të cilës asnjëherë nuk do t’i vij koha e vet”.

Daniel Server shprehet se për bisedimet ka pasur hezitim të madh nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe Beogradi dhe Prishtina. Sipas tij, vetë Prishtina nuk dëshiron të ndërmarrë diçka që do të provokonte situatën.

“Në anën tjetër, Beogradi nuk e di se çfarë duhet bërë, por e kupton shumë mirë se kjo po bëhet zonë ku nuk sundon ligji dhe vend potencial për destabilizim, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Shpresoj që të shohim më shumë veprim të EULEX-it në veri, dhe shpresoj që Beogradi dhe Prishtina ta kuptojnë domosdoshmërinë e forcimit të sundimit të ligjit në veri”, thotë ai.

Server thekson se nuk sheh ndonjë kërkesë të Serbisë për veriun e Kosovës, e që nuk është plotësuar gjerë më tani nga plani i Ahtisarit. Sipas tij, e vetmja gjë për të cilën Beogradi mund të jetë i shqetësuar për atë pjesë, është veprimi i strukturave, apo institucioneve të veta, për të cilat kërkon garanci.

Server parapëlqen që Prishtina dhe Beogradi të takohen drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, megjithëse  tashmë është vendosur që Bashkimi Evropian të udhëheq ndërmjetësimin e bisedimeve. “Mendoj se prania amerikane është e rëndësisë jetike dhe do të ishte gabim që Evropa të procedonte pa praninë amerikane. Me sa kam kuptuar, lidershipi evropian do të sigurojë pjesëmarrjen amerikane dhe mendoj se kjo është diçka e mençur”, vlerëson Server.

I pyetur për llojin e Qeverisë që i nevojitet Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare, Server mendon se ajo duhet të ketë fillimisht shumicën në Kuvend.

“Nuk mund të parashikoj saktësisht se si do të duket kjo shumicë, por sipas Kushtetutës, parashihet përfshirja e pakicave dhe kjo, sipas meje, është diçka shumë e mirë. Përtej kësaj, është e vështirë, në këto ditë, të parashikohet se si saktësisht do të duket Qeveria e re e Kosovës, dhe nuk mendoj se është e dobishme që të bëjmë parashikime të tilla. Mendoj se kjo është çështje me të cilën duhet të merren vetë kosovarët dhe ne duhet t’i lëmë që të negociojnë dhe të marrin vendime”, thekson ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)