Serbisë i shtyhet statusi i kandidatit
Beograd, 29 nëntor - Tensionimi i situatës në veri të Kosovës, i ka kushtuar rëndë Serbisë.
Zhvillimet e fundit në veri, i kanë zvogëluar gjasat Serbisë para 9 dhjetorit ku pritej t`i jepej këtij shteti statusi i kandidatit për anëtarsim në Bashkimin Evropian.
Gazeta Novosti e Beogradit shkruan se kjo mundësi i është shtyrë Serbisë për në mars apo prill.
Një kontribut të veçantë në këtë drejtim po i jep kundërshtimi kategorik i Gjermanisë ndaj Serbisë. Se në çfarë pozicioni do të jetë Serbia para ditës D, do të merret vesh më 5 dhjetor, kur mblidhen shefat e diplomacive të shteteve të BE-së.
Një numër i madh i shteteve mbështesin kandidaturën tonë, por disa shtete kanë vënë kushte për arritjen e hapave konkret në dialogun me Kosovën, si dhe zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur deri tani, ka thënë zëvendëskryeministri serb për integrime evropiane, Bozhidar Gjeliç.