Serbia shpërndan kuvendet e 4 komunave serbe
Beograd, 10 shtator - Qeveria e Serbisë ka shpërndarë sot kuvendet e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Në njoftimin e ekzekutivit serb thuhet se në këto komuna janë emëruar kryetarë dhe anëtarë të organeve të përkohshme.
Qeveria e Serbisë, në seancën e sotme, po ashtu ka formuar një ekip menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Ky mekanizëm, i cili ka për qëllim integrimin e serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës, parashihet me Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Serbët e veriut, megjithatë janë shprehur kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të Kosovës, të parapara për 3 nëntor.