Serbia shkel marrëveshjen e Brukselit
Shkup, 27 maj - Serbia po e shkel marrëveshjen e Brukselit ende pa nisur zbatimi i saj i plotë. Beogradi ka penguar pjesëmarrjen e Kosovës në dy aktivitete të ndryshme rajonale që kanë për qëllim integrimin e Evropës Juglindore.
Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic ka bërë presion tek Maqedonia që të mos e ftojë presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga në forumin e bashkëpunimit rajonal që do të mbahet në Ohër më 1 qershor, shkruan Tribuna.
Si rezultat i kërcënimit të Nikolic, Maqedonia e ka zyrtarizuar qëndrimin për të mos e ftuar Jahjagën.
Nga ana tjetër, të premten e kaluar delegacioni serb në Samitin e Iniciativës së Evropës Qendrore në Budapest, ka lëshuar sallën kur ka parë se i ftuar në këtë samit ka qenë edhe ministri i Administratës Publike i Kosovës Mahir Jagxhillar.
Në këtë mënyrë, Serbia ka vazhduar sjelljen e vjetër, duke shkelur pikën 14 të marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Dacic, derisa ka anashkaluar edhe marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës të arritur në dialogun teknik.
Ministrja e integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku ka paralajmëruar se pala kosovare do të protestojë kundër kësaj sjellje të Serbisë. Sipas saj, kjo qasje dyfytyrëshe e Serbisë i takon mesjetës.