Serbia paralajmëron marrëveshje të shumta me Kosovën
Beograd, 29 nëntor - Ministri serb i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se marrëveshja e ardhshme në Bruksel duhet të jetë ajo për pasurinë, e më pas ajo për trashëgiminë kulturore dhe për pozitën e kishës serbe në Kosovë.
Ai ka theksuar se duhet të arrihet marrëveshja si të zgjidhjet problemi i pasurisë, si të zgjidhet problemi, siç e ka quajtur ai, i gjithë asaj që shteti i Serbisë ka investuar në Kosovë, raportojnë mediat serbe.
Si do ta zgjidhim problemin për të cilin ne kemi paguar kamata, borxhe, për pasurinë që është në jug, për pasurinë që nuk e shfrytëzojmë fare, ato janë qindra milionë euro, -ka thënë Vulin.
Vulin ka theksuar se marrëveshja për energjinë që është nënshkruar kohë më parë, është në të vërtetë pronësia mbi liqenin e Gazivodës dhe të Valaçës, që gjenden në veri të Kosovës dhe kjo është lënë temë për marrëveshjen për pasuri, raporton Koha Ditore.
Vulin ka thënës se Serbia nuk e njeh privatizimin që bëhet pa serbët në Kosovë dhe për këtë arsye, sipas tij, duhet të arrihet marrëveshja për pasuri.
Duke folur për funksionimin e kombinatit Trepça, Vulin tha se për këtë kombinat duhet biseduar edhe me kategori ekonomike e jo vetëm politike për të parë se kush sa ka investuar në Trepçë dhe kujt i ka borxh Trepça.
Kredidhënësit më të mëdhenj të Trepçës janë ndërmarrjet nga Serbia dhe ato nuk mund të falin borxhet, -ka deklaruar Vulin.
Vulin ka përfunduar se marrëveshja e Brukselit është vetëm njëra nga marrëveshjet e shumta dhe ajo nuk mund të jetë e fundit.