Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur pavarësinë e Kosovës
Berlin, 28 mars - Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqeu kjo dikujt apo jo.
Lunaçek në një diskutim podiumi në Berlin, organizuar nga Fondacioni Hajnrih Bël me temën Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe Bodo Veber nga Këshilli për politika demokratike, si dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, kjo duhet të ndodhë.
Ndërkaq, Bodo Veber tha se nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE.
Nga ana e tij kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se Vetëvendosje nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime, transmeton RTK.
Ai në fjalimin e tij ka deklaruar se Serbia nuk po e trajton Kosovën si partner të barabartë në bisedime dhe se deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për krimet që ka kryer gjatë vitit 1999 në Kosovë.(rtk)