Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës
Bruksel, 10 nëntor - "Nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet normalizimi i raporteve, ndërsa Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE, pa njohjen e Kosovës", shprehet për DW Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme në Parlamentin Evropian për Kosovën.
Duke komentuar takimin e fundit të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me kryeministrin serb Ivica Dacic, eurodeputetja Lunacek, ka thënë se bashkëbiseduesit nuk duhet të ndalen vetëm tek realizimi i marrëveshjeve të arritura më parë.
Ata duhet të arrijnë edhe marrëveshje të tjera. Një prej temave që duhet të trajtohet është edhe heqja e strukturave paralele në veri të Kosovës, që është një temë shumë e rëndësishme. Dacici do ta ketë shumë të vështirë, por këto masa janë të domosdoshme për të arritur deri tek zgjidhjet e duhura. Kjo është edhe në interesin e serbëve në Kosovë, ka thënë Lunacek për radio Deutsche Welle.
Ajo ka thënë se është e lumtur që dialogu po ndodh nën drejtimin e baroneshës Catherine Ashton, kurse e ka vlerësuar të rëndësishme që në këto takime po marrin pjesë të dy kryeministrat, gjë të cilën ajo nuk e kishte pritur.
Në veçanti kontestuese ka qenë pjesëmarrja e kryeministri të Serbisë, Dacic. Ai, personalisht angazhohet për ndarjen e Kosovës, ndonëse në takimin e fundit nuk e ka përmendur këtë mundësi. Pjesëmarrja e tij nuk ka qenë e sigurt edhe për faktin se në Serbi ende flitet për përzierjen e mundshme të kryeministrit të Kosovës në tregti me organe njerëzish."
"Ndaj është shumë me rëndësi që Dacici ka pranuar të ulet në një tavolinë me Thaçin. Kam përshtypjen se qeveria e re serbe, e cila vjen nga krahu nacionalist, do ta ketë më lehtë të vendosë sesa ish-presidenti Tadic i cili nuk ka mundur apo edhe nuk ka dashur të marrë vendime. Nga ai kemi pritur shumë më shumë, por për fat të keq ai nuk i ka realizuar këto pritje.
Pavarësisht angazhimit të Dacicit për ndarjen e Kosovës, Lunacek thotë se Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë ndarjen.
Nuk mund ta besoj se Thaçi dhe Dacici mund të bien dakord për ndarjen e Kosovës. Asnjë njeri në Parlament apo në Bashkimin Evropian, që e njeh pak më mirë rajonin, nuk është për ndarjen e Kosovës, apo për kufij të rinj në Ballkan.
Ndërsa, lidhur me veriun e Kosovës, ajo thotë se atje duhet të zbatohet ajo që parashikon Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës.
Duke iu referuar mundësisë së anëtarësimit të Serbisë në BE, Lunacek thotë se në BE nuk do të anëtarësohet asnjë vend pa definimin e saktë të kufirit.
Unë e kam thënë disa herë shumë qartë edhe për mediat serbe se nuk do të lejohet një Qipro e re në Bashkimin Evropian. Pra në BE nuk do të anëtarësohet asnjë vend pa definimin e saktë të kufirit."
"Ndaj Serbia nuk do të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës. Unë do të doja që Serbia dhe pesë vendet e tjera të BE-së të njohin Kosovën menjëherë, por për momentin është me rëndësi normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Unë kërkoj që edhe pesë vendet e tjera të BE-së të njohin Kosovën. Kjo me siguri që do të lehtësonte edhe pozitën e Serbisë, tha ajo.