Serbia nuk do të marrë datën e negociatave për BE
Beograd, 18 shtator - Komisioni Evropian e ka vlerësuar si të kufizuar përparimin që ka bërë Serbia në integrimet evropiane dhe nuk do ti rekomandojë në mënyrë eksplicite Këshillit Evropian, që ti japë Beogradit datën e negociatave të anëtarësimit, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja serbe Danas.
Duke u thirrur në burime brenda Qeverisë së Serbisë dhe Komisionit Evropian, gazeta shkruan se ky i fundit, më 15 shtator, ka përfunduar hartimin e raportit vjetor për përparimin e Serbisë dhe se ai do të jetë me ton kritik në shumicën e 30 kapitujve që janë marrë në konsideratë.
Danas shkruan se në raport do të figurojnë kushtet, para së gjithash në lidhje me Kosovën, të cilat duhet ti përmbushë Serbia për të fituar datën e negociatave për anëtarësim në BE.
Sipas gazetës, raporti pritet të publikohet më 10 tetor.
Sipas burimeve të saj, raporti do të vërë në dukje se, për shkak të organizimit të zgjedhjeve, Serbia nuk ka realizuar përparimin e pritur të reformave në shumë fusha, nisur nga normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën deri te gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, vijon Danas, do të nënkuptohet zgjidhja e çështjes së telekomunikacionit, energjetikës, si dhe funksionimi i institucioneve serbe në veri.
Brukseli do të insistojë sërish në tërheqjen e strukturave serbe të sigurisë nga veriu i Kosovës, shkruan Danas.