Serbia në mars statusin e kandidatit, kusht Kosova
Bruksel, 9 dhjetor - Në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, krerët e qeverive dhe shteteve anëtare të Serbisë vendosën që Serbia ta marrë statusin e vendit kandidat në mars të 2012.
Në konkluzionin e dalë nga takimi i mbrëmshëm i Këshillit Evropian thuhet se Serbia, deri në mars të vitit 2012, duhet të dëshmojë se po angazhohet bindshmëm për zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura në dialog me Kosovën, me theks të veçantë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit dhe të bashkëpunimit rajonal.
Për këtë samiti në Bruksel vendosi që të ngarkojë ministrat përkatës që të provojnë përpjekjet e saj të nevojshme për normalizimin e marëdhënieve të saj me Kosovën.
Këshilli Evropian, sipas draft dokumentit të publikuar nga mediat ka kërkuar po ashtu nga Serbia që të mundësojë lirinë e plotë të lëvizjes për EULEX-it dhe KFOR-in..
Nderkaq opozita radikale serbe ka djegur flamurin e Bashkimit Europian në një protestë të organizuar kundër integrimit. Ata kanë thënë se Serbia nuk ka nevojë për BE-në.
Shtyrja e vendimit për statusin e kandidatit për Serbinë ka ngjarë në një nga ditët më të rënda për shtetin serb, ndonëse ka qenë hera e parë që ka qenë kaq afër.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit Boris Tadic, i cili ka thënë se Serbia nuk do të heqë dorë nga Bashkimi Europian. Ai është shprehur i bindur për vazhdimin e reformave, progresin në zgjidhjen e problemit të Kosovës, por me politikat e vjetra.
Tadic ka thënë se Serbia nuk mund të tërhiqet nga rruga e integrimit pasi kjo do të kishte pasoja të mëdha ndaj popullit, duke përmendur problemet e trashëguara dhe faktin që as në kohën e luftërave nuk ka pasur frikë.
Serbia ka bërë shumë dhe tani mund të shikojë Bashkimin Europian në sy, ka thënë ai.
Reagimet e opozitës kanë qenë të ndara lidhur me shtyrjen e statusit të kandidatit. Krahu nacionalist ka vlerësuar se ky është fundi i tradhtive dhe është një ngjarje pozitive për Serbinë.
Është kërkuar edhe dorëheqja e kryeministrit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.Liberal-demokrati Cedomir Jovanovic, ka thënë se kjo është një dëshmi e mosbesimit ndaj politikave të këtij shteti.
Kemi bërë shumë pak për Europën, ka thënë ai. Sipas Jovanovic, "Tadic nuk mund të kuptohet as brenda Serbisë, e jo më në BE. Andaj, duhet një politikë e re".
Refuzimi i statusit të vendit kandidat nga ana e Bashkimit Europian, ka sjellë koston e parë politike për klasën udhëheqëse në Serbi.
Sipas televizionit serb, B92 zv/kryeministri Bozidar Djelic, që ishte edhe përgjegjës për integrimin europian të vendit, dha dorëheqjen nga posti i tij duke komentuar se vendimi i samitit të Brukselit nuk ishte ajo që vendi i tij priste.
Vendimi nuk ishte ai që ne prisnim. Kisha premtuar se nëse vendi nuk merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të jepja dorëheqjen, dhe ja ku po e mbaj fjalën time, citohet Djelic nga mediat serbe.
Bashkimi Europian vendosi gjatë paradites së të premtes të shtyjë dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, pavarësisht realizimit të disa kushteve kryesore nga ana e Beogradit.
Vendimi i BE-së, i komunikuar gjatë samitit të Brukselit, shprehu qartë se mungesa e dialogut me Kosovën është ajo që po kushtëzon të ardhmen europiane të vendit.
Serbia ka bërë një progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kriterit politik të Kopenhagenit dhe ka arritur një bashkëpunim plotësisht të kënaqshëm me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, në lidhje me personat e kërkuar që fshihen në Serbi. Megjithatë, Brukseli sheh me shqetësim refuzimin e përsëritur për tu përfshirë në dialog me Kosovën, pavarësisht garancive dhe ndërmjetësimit të Bashkimit Europian, shkruhej në raportin që iu paraqit Serbisë, të cituar nga "Radio Europa e Lirë".
Në dokument, gjithashtu flitej për nevojën e përkushtimit në biseda me EULEX-in, misionin ushtarak të KFOR-it dhe për angazhimin më të madh të autoriteteve serbe në largimin e barrikadave nga rrugët në pjesën veriore të Kosovës.
Shansi i radhës për të fituar statusin e vendit kandidat për Beogradin do të jetë në mars të 2012-s.
Siç raporton e përditshmja më e madhe serbe, B-92, çështja e kandidaturës serbe ka krijuar ndarje brenda vetë Bashkimit Europian. Nga ana e saj, Franca këmbënguli për ti akorduar menjëherë Beogradit statusin, duke arsyetuar se Serbia ka bërë atë që kishte në dorë të bënte për të fituar besimin e BE-së, me firmosjen e marrëveshjes për manaxhimin e integruar të kufijve me Kosovën.
Megjithatë, një hap i tillë nuk u konsiderua i mjaftueshëm nga fuqi të tjera të mëdha brenda BE-së, si Gjermania, Austria, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Britania e Madhe besohet se mbështetën të gjitha qëndrimin e Berlinit.
Një ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, paralajmëroi Europën për fuqizimin e lëvizjeve nacionaliste në vend, në rast të refuzimit të statusit. Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Daçiç komentoi me cinizëm se Serbia do të vazhdojë të ekzistojë edhe të nesërmen e vendimit, pavarësisht se cili do të jetë ai.