11 Janar 2025

Serbia në kthetrat e mafies

Beograd, 5 shkurt - Serbia kërcënon të zhytet në një krizë të thellë qeveritare. Thuhet se kryeministri Ivica Daçiç, me vetëdije të plotë, ka pasur kontakte me mafien e drogës.

Ai vetë ka përgënjeshtruar lajmin dhe flet për një komplot. Gazetat në Serbi tashmë kanë filluar të spekulojnë për zgjedhje të parakohshme.

Së fundi, kryeministri i Serbisë ishte viktimë e një shakaje televizive: gjatë një interviste, përballë tij qëndroi e ulur një modele pa të brendshme dhe skena i ngjasoi shumë skenës nga filmi “Basic Instinct”.

Daçcii reagoi me një buzëqeshje, kur femra e ulur përballë tij hapi këmbët, duke e ndërruar pozicion qëndrimi. Më shumë se 5.6 milionë shikime në YouTube ka marrë ajo video. Këshilltari për siguri i Daçiç, tej mase i hidhëruar, theksoi se ky rast do të hetohet dhe se do të paditet ekipi i kamerës së fshehtë.

Por tani, kryeministri i Serbisë po përballet me një problem shumë më serioz: ai po përballet me vështirësi, për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me mafien.

Kryeministri dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në fund të vitit 2008 janë furnizuar me telefona, të cilët nuk mund të përgjohen, nga ana e bandës së bosit të mafies në Serbi, Darko Shariçit, shkroi e përditshmja beogradase, Blic.

Është e vërtetë se Daçiç gjatë fundjavës konfirmoi kontaktet e tij me mafien, por theksoi se ai atëkohë, ishte Ministër i Brendshëm, nuk e ka ditur se personi i tij i kontaktit ka qenë një përfaqësues i krimit të organizuar. Por dyshimi në fjalët e tij ka filluar të shtohet. Dëshmitë e xhiruara dhe vizuale të policisë bien ndesh me deklaratën e Daçiç se ai nuk ka pasur njohuri për identitetin e bashkëbiseduesit të tij, shkroi gazeta tjetër serbe, Informer.

Daçiç nga ana e tij ngriti akuza të rënda në adresë të policisë, e cila atëkohë nuk e kishte njoftuar. Ai më tutje shtoi se e gjithë kjo fushatë po bëhet për të shantazhuar dhe diskredituar atë. Megjithatë, Daçiç nuk qartësoi se kush qëndron prapa këtyre sulmeve kundër tij.

Javën e kaluar u zbulua se policia serbe posedon dëshmi të xhiruara, të cilat dëshmojnë se së paku një ish-ministër, dy zyrtarë të lartë të policisë dhe vetë Daçiç kanë pasur kontakte me mafien. Këto kontakte janë zhvilluar mes vitit 2008 dhe 2010. Shariçi 43 vjeç, i cili gjendet në arrati, kishte kontrabanduar 2.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë. Sipas të dhënave zyrtare, banda e Shariçit ka fituar nga 1 miliard euro në vit.

Daçiç deri me tani ka kundërshtuar me këmbëngulje mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Shefi i Partisë Socialiste të Serbisë është kryeministër që nga gjysma e vitit të kaluar. Daçiç mbështet edhe nga Partia Përparimtare e Serbisë (SNS), e cila është partnere në koalicionin e Dacicit.

SNS, e cila kryetar ka zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, ka fituar mjaft simpati në radhët e popullatës, për shkak të luftës kundër korrupsionit. Ministri i Bujqësisë në qeverinë e kaluar të Serbisë është nën hetime, pikërisht sikurse edhe një mik i ngushtë i ish-kryeministrit të Serbisë, Mirko Çvetkoviç.

Për shkak të dëmeve në vlerë prej 300 milionë euro janë arrestuar me dhjetëra kuadro udhëheqëse të Agrobankës. Njeriu më i pasur në Serbi, Miroslav Mishkoviç, së bashku me të birin, Markon, që nga dhjetori është në paraburgim.

Vuçiçi është edhe ministër i Mbrojtjes dhe koordinator i shërbimit të fshehtë. Nëse kriza vazhdon, atëherë ka gjasa që SNS të bëjë përpjekje që të shfrytëzojë simpatinë në rritje në radhët e popullatës, për të shënuar fitore në zgjedhje.

Konfliktet në radhët e koalicionit kanë hyrë në një zonë të rrezikshme, ishte titulli në gazetën Novosti. “Qeveria e prirë për të rënë”, ishte titulli në gazetën Blic. Ndërsa e përditshmja tjetër, Kurir, në artikullin me titull “Ditët e vendimit”, shkroi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi sipas të gjitha gjasave do të zhvillohen në prill apo shtator.

/Der Spiegel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)