Serbia ndërpret marrëdhëniet me Hagën
Beograd, 17 nëntor - Gjykata e Hagës mund të kërkojë nga Serbia vetëm bashkëpunim teknik dhe asnjë marrëdhënie tjetër.
Kështu ka vendosur qeveria e Serbisë në reagimin e saj ndaj lirimit nga Haga të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.
Lirimi i Gotovinës dhe Markaç, që më parë ishin dënuar me 24 dhe 18 vjet burgim, për Serbinë ka qenë një goditje për shkak se një nga krimet, që Serbia deklaron se janë kryer ndaj popullsisë serbe, nuk ka marrë një epilog përfundimtar.
Rasim Lajiç, shef i Këshillit kombëtar për bashkëpunim me gjykatën e Hagës, ka bërë të ditur vendimin si nismë e kryeministrit Ivica Daçiç për bllokimin e marrëdhënieve.
Gjykata ka anuluar një konferencë të organizuar në Serbi, ndërsa qeveria serbe ka vlerësuar se vendimi i Hagës nuk ka dhënë drejtësi, por i ka shkaktuar edhe një herë dhimbje viktimave të operacionit Rrufeja.
Ish-presidenti Boris Tadiç është shprehur se, ky vendim është një goditje për Ballkanin. Edhe shumica e partive politike serbe e kanë cilësuar vendimin e gjykatës një legjitimim të spastrimit etnik.
Olluja, apo rrufeja, ka qenë një plan ushtarak për vënien nën kontroll të territorit ku jetonin serbët në Kroaci, në gusht të vitit 1995, prej nga vlerësohet të jenë dëbuar rreth 220 mijë persona.