Serbia mund të mbetet pa statusin e kandidatit
Beograd, 24 shtator - Nëse javën tjetër nuk arrin progres të rëndësishëm sa i përket çështjes së vendkalimeve doganore, Serbia mund të mbetet pa statusin e kandidatit, ka thënë Ian Bancroft, ekspert britanik për Ballkanin Perëndimor, drejtor i organizatës \"TransConflikt\".
Megjithëse disa anëtarë të BE-së thonë se Serbinë duhet shpërblyer me statusin e kandidatit për vetë faktin se i është kthyer dialogut me Prishtinën, Benkroft në një intervistë për REL thotë se ekziston bërthama e fortë e kryesuar nga Gjermania, e cila insiston që Serbia duhet të bëjë shumë më tepër për ta merituar statusin e kandidatit, të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.
Sa i përket politikës së presidentit serb Boris Tadic \"edhe Kosova edhe Bashkimi Evropian\", Benkroft thotë se Gjermania dhe Britania e Madhe ndonëse këtë kurrë nuk e kanë thënë zyrtarisht, fuqishëm mbrojnë pikëpamjen se \"pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk mund të hyjë në BE\".
Madje, shton ai, kancelarja gjermane Merkel gjatë vizitës në Beograd hapur ka theksuar kontradiktën e politikës \"edhe Kosova edhe BE\".