25 Dhjetor 2024

Serbia kërkon “UNMIK 2” në veri të Kosovës

Prishtinë, 26 prill - Një administrim ndërkombëtar për veriun, nën mandatin e rezolutës 12 44 të OKB-së si fazë kalimtare drejt delegimit të përgjegjësive tek autoritetet lokale, është plani më i ri serb për veriun e Kosovës, thonë burime ndërkombëtare në Prishtinë.

Sipas këtyre burimeve, Serbia shumë shpejt po e humb durimin në kuadër të negociatave teknike me Prishtinën, duke kërkuar që sa më shpejt në tavolinën e bisedimeve të ngrihet edhe çështja e veriut.

Me fjalë të tjera, Serbia për veriun po kërkon në njëfarë forme modelin gati të njëjtin me statusin që e kishte Kosova pas 12 qershorit të vitit 1999, kur u vendos nën administrimin e OKB-së, thonë këto burime.

Ndonëse veriu kurrë nuk ka qenë një krahinë me kufij dhe kushtetutë dhe nuk është identifikuar si entitet më vete, Serbia po përpiqet që ta arsyetojë një mision ndërkombëtar vetëm për veriun, me gjendjen faktike ekzistuese atje.

Një status i tillë do ta mbante veriun në kufijtë e Kosovës, por duke e vënë këtë pjesë nën administrim ndërkombëtar, Kosova nuk do të kishte sovranitetin në veri.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, pala serbe po përhap ide politike tek ndërkombëtarët që të mbështesin këtë zgjidhje, duke synuar që baza e vendosjes së këtij administrimi në këtë zonë të jetë rezoluta 1244 e KS të OKB-së, ku përveç OKB-së, një rol do t`i caktohej edhe misionit të BE-së-EULEX, me çka Serbia nuk do ta injoronte në tërësi BE-në. Ky do të ishte një mision-“UNMIK 2”, por me një shtrirje vetëm në veri, nënvizojnë këto burime.

Faza e administrimit ndërkombëtar thuhet se do të zgjaste nga 3 deri në 5 vjet. Ndërkohë, autoritetet lokale do të përgatiteshin për zgjedhje të lira dhe vendosje të pushtetit lokal atje nga mesi i mandatit të misionit ndërkombëtar, në mënyrë që një fazë e pushtetit lokal të kalojë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Ndërkohë pretendimet apo ambiciet serbe janë që pas fazës së misionit ndërkombëtar, autoritetet lokale të sforcojnë idenë e ndarjes, shkëputjes së kësaj pjese nga Kosova, theksojnë të njëjtat burime.

Në anën tjetër, pala kosovare, sipas këtyre burimeve, ofron një lloj administrimi ndërkombëtar vetëm në veri të Mitrovicës, me kompetenca të përziera me vendorët, duke e ruajtur sovranitetin dhe pushtetin e shtetit të Kosovës dhe të EULEX-it në dogana, gjykata dhe polici.

Një administrim ndërkombëtar, sipas Prishtinës zyrtare, do të mund të ishte i përkohshëm vetëm për pjesën veriore të Mitrovicës, përderisa ajo të mos shndërrohej në komunë të re.

Edhe plani i Ahtisarit parashikon që Mitrovica të ketë dy komuna, por që janë pjesë e një qyteti unik. Përderisa për komunat tjera në veri, si Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, sipas Prishtinës, thuhet se nuk kanë nevojë për një administrim ndërkombëtar, por vetëm për organizim të zgjedhjeve lokale dhe vendosjes së pushtetit legjitim atje, duke i larguar kështu strukturat e pushtetit paralel serb që sot e kanë nën kontroll këtë zonë.

Një pozicion i tillë i Prishtinës zyrtare, sipas të njëjtave burime, nuk është i ri dhe çdo ditë e më tepër sikur nuk po tregohet as atraktiv dhe as zgjidhje, pasi që gjendja në veri nuk po ndryshon.

Por, edhe shtrirja e një misioni “UNMIK 2” besohet se nuk do të jetë zgjidhje. Problem serioz për ndërkombëtarët besohet se mund të jetë Pakoja e Ahtisarit.

Nëse ajo shmanget në veri, atëherë edhe shqiptarët do të mund të kërkonin shmangie nga ky plan për pikat dhe kriteret themelore të saj të adoptuara nga Grupi i Kontaktit, që me pak fjalë nënkuptojnë se Kosova nuk mund të ndahet, por as nuk mund t`i bashkohet një shteti tjetër.

Ikja nga këto parime, thonë këto burime, mund t`u krijojë mundësi forcave politike në Prishtinë që angazhohen për bashkim kombëtar apo ndryshim të kufijve që të paraqesin opsione serioze për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë apo në një rrafsh reciprociteti me Serbinë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Shqetësimet tjera ndërkombëtare janë se opsionet që çojnë kah ndarja e Kosovës mund të hapin edhe kutinë e Pandorës për vendet tjera të rajonit, si Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Duke folur për një situatë tejet të komplikuar në veri, këto burime thonë se hutinë për të ardhmen e veriut e ka shkaktuar edhe dialogu i filluar Prishtinë – Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto burime rikujtojnë procesin e Vjenës, kur Grupi i Kontaktit kishte përcaktuar fillimisht kriteret e më pas kishte nisur bisedimet.

Kurse në rastin e bisedimeve të Brukselit, ato kanë nisur pa e ditur askush se si dhe me çfarë rezultati do të mbyllen. Nisur nga kjo zbrazësi që e ka shkaktuar ky dialog i padefinuar, zyrtarët shtetërorë të Beogradit tashmë flasin haptas se në tavolinë mund të shtrohet edhe ndarja e Kosovës.

Analistët politikë në Prishtinë kërkojnë nga qeveria një përgjigje dhe reagim të ashpër karshi pretendimeve të hapura të delegacionit serb që në bisedime të futet tema e ndarjes.

Analisti Ismajl Hasani i ka thënë radios Evropa e Lirë se pala kosovare mund ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve, nëse Serbia nuk ndërgjegjësohet ose nuk i kthehet tryezës së bisedimeve, e jo shantazheve të tipit të ndarjeve të Kosovës.

Hasani mendon se jo vetëm Stefanoviqi, por edhe zyrtarë të tjerë po provokojnë situatën.

“Konsideroj se Serbia do të duhej ndëshkuar qoftë me paralajmërimin e Kosovës për tërheqje nga bisedimet, qoftë me paralajmërimin e Kosovës në Zyrën e baroneshës Eshton, në SHBA, për të parë se është shkallë e duhur serioze e sjelljes së Serbisë në raport me bisedimet që po zhvillohen mes saj e Kosovës”, ka deklaruar Hasani.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, ka thënë dy ditë më parë se ndarja e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Por, ajo që aktualisht shqetëson kosovarët, është se nëse jo ndarje, veriu po shkon kah një zgjidhje apo status i veçantë, i cili në të ardhmen mund ta bllokojë funksionimin e shtetit, siç ndodh tash e sa vjet me Bosnjën e Hercegovinën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)