Serbia kërkon rishikimin e paktit të Kumanovës
Beograd, 21 qershor - Beogradi zyrtar ka dalë sërish me kërkesën që do ti krijojë mundësinë për të rishikuar marrëveshjen e Kumanovës, e lidhur në vitin 1999 me NATO-n, që në fakt ka të bëjë me menaxhimin e kufirit me Kosovën.
Një ndryshim i tillë e zbulon shtetin e ri të Kosovës, përballë një fqinji, i cili jo vetëm nuk e njeh, por ka pretendime territoriale të qarta ndaj tij. Në fakt me funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur, NATO do të largohet dalëngadalë nga Kosova dhe fuqitë e mëdha po përgatiten për këtë ditë.
Ndërkohë, Pentagoni, ka shtuar ndihmën ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat dalëngadalë po kthehen në armatën e shtetit të ri.
Konferenca e organizuar në Beograd javën e kaluar nga komanda për transformim të NATO-s, ka hapur edhe një herë çështjen e statutit të Zonës Tokësore të Sigurisë ndërmjet Serbisë e Kosovës e themeluar sipas Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999, transmeton gazeta e Beogradit Veçenje Novosti.
Për këtë, shkruan kjo gazetë, në margjinat e kësaj konference, kanë folur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Miloje Miletiç, dhe kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATOs, admirali Gianpaolo di Paoloa. Ka interes që të bisedohet për modifikimin dhe implementimin e marrëveshjes tekniko-ushtarake, ka thënë Miletiç.
Zgjidhja e kësaj çështjeje është me rëndësi për marrëdhëniet e Serbisë me NATO-n, si dhe për relaksimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Argumenti kryesor i Serbisë për revidimin e kësaj marrëveshjeje është fakti se lufta ka përfunduar dhe se Serbia e NATO nuk janë më armiq.
Ideja për revidimin e Marrëveshjes së Kumanovës nga Beogradi nuk është e re. Kjo çështje është shtruar edhe në vitin 2008 kur Serbia u angazhua për zvogëlimin ose për suspendimin e tërësishëm të ndalim fluturimit i cili nga 25 kilometra, u bë 5 kilometra. Megjithatë çdo fluturim në këtë hapësirë duhet të ketë leje nga KFORi, ankohet Novosti.
Zonën Tokësore të Sigurisë e kontrollojnë forcat e brigadës së dytë, tretë dhe të katërt të ushtrisë së Serbisë. Zona, në formë të patkoit, është e gjatë 384 kilometra dhe në të janë të vendosura 20 baza ushtarake. Ushtarët, bashkë me policët, kontrollojnë lëvizjen nëpër zonë e rregullisht organizohen edhe patrullime të përbashkëta me forcat e KFORit.
Pentagoni
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë një donacion prej 2.5 milionë dollarësh për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas një njoftimi nga Ministria e FSK-së thuhet se sot do të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit midis MFSK-së dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për pranimin e këtij donacioni.
Këto mjete, thuhet se do të përdoren për sistemin e menaxhimit informativ, sistem ky i cili do të ndihmojë departamentet e MFSK-së në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të veta me standarde profesionale më të avancuara.