Serbia ka strategjinë për të penguar njohjet e reja
SHBA, 10 korrik - Eksperti amerikan James Hooper, menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike, thotë se Kosova duhet të ketë gati një strategji diplomatike për ta zbatuar pas daljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Më tej ai ka shtuar se Serbia e përdori seancën e KS të OKB-së të martën për të ngritur perden e strategjisë që do të ndjekë pas vendimit të Gjykatës.
Ai thotë se shumë vende janë duke pritur mendimin e GJND-së për njohjen e Kosovës, ndërsa qëllimi i Serbisë është të parandalojë një valë njohjesh të reja nga shtetet e botës së tretë që deri sot nuk e kanë njohur Kosovën.
Sigurisht që Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e pavarur dhe Serbia sipas tij nuk mund të bëjë asgjë për ta ndryshuar një gjë të tillë, por u përpoq dhe arriti që të bindte vende të tjera që të mos ta njihnin Kosovën.
"Bëhet fjalë për shtete që mund ta kishin pasur vullnetin ta njihnin, por e pranuan argumentin që një vendim ligjor pritej të jepej nga një gjykatë, kështu që ende nuk duhej të ndërmerrnin ende ndonjë hap. Serbia do të donte që kjo periudhë të zgjaste, por realiteti është që nëse Kosova ka një strategji diplomatike të vetën dhe të punojë në bazë të saj përpara dhe pas vendimit të Gjykatës, ato mund të sigurojnë njohjen e një numri shtetesh të tjera", shprehet Hooper.