Serbia hap edhe një kapitull negociatash me BE-në
Beograd, 27 qershor - Në konferencën ndërqeveritare, Bashkimi Evropian-Serbi, kjo e fundit hap të enjten kapitullin e ri në negociatat për anëtarësim në bllokun evropian.
Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë, Jadranka Joksimoviq, do ta udhëheqë delegacionin serb në konferencën në Bruksel, ku do të hapet kapitulli i nëntë i negociatave në lidhje me shërbimet financiare.
Pas konferencës, Joksimoviq dhe Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, do të nënshkruajnë marrëveshjen financiare, IPA, për vitin 2018, e cila për Serbinë parasheh 179.1 milionë euro.
Serbia deri më tash ka hapur 16 kapituj në negociatat me BE-në, nga 35 në total.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor negociatat për anëtarësim i kanë nisur, Mali i Zi dhe Serbia.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të vendimit për nisjen e këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnja-Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim-asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në këtë bllok.