Serbia, ftesë Tiranës për territoret
Tiranë, 29 mars - Beogradi kërkon të negociojë me Tiranën zyrtare mbi konfliktet territoriale qindravjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve.
Këtë e deklaroi presidenti serb Boris Tadiç gjatë një forumi të organizuar në Bruksel nga German Marshall Fund. Sipas tij, nuk ekziston termi kosovar, por në këtë territor, ka vetëm shqiptarë dhe serbë.
Qëllimi im është të zgjidhim konfliktet historike që ekzistojnë në Ballkan, është shprehur Tadiç.
A po flisni historikisht që nga lufta e Fushë Kosovës apo historikisht pas vendimit të GJND-së?, Matheë Horn, avokat amerikan.
Ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet në mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo është saktësisht ajo që po përpiqemi të arrijmë, që do të të thotë të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka. Është e thjeshtë, tha Tadiç.
Sipas presidentit serb, dialogu Prishtinë-Beograd duhet të nisë me çështje teknike, për të lehtësuar jetët e njerëzve, por duhet të përfundojë me tema të dhimbshme, çfarë nënkuptonte ndarjen e Kosovës.
Për sa i përket Kosovës ne duhet të nisemi nga realiteti në terren. Shqiptarët sot, njësoj si në të kaluarën, nuk pranojnë çatinë e sovranitetit serb. Më së shumti serbët e veriut në Kosovë nuk duan të pranojnë çatinë e një sovraniteti shqiptar mbi kështjellë, dhe ky është realiteti ku po jetojmë. Nëse do të më pyesnit çfarë mund ti ofrojnë zyrtarët shqiptarë në Prishtinë serbëve të veriut në Kosovë, theksoi Tadiç.
Unë po ju pyes se çfarë kosovarët në Prishtinë mund të ofrojnë, pyeti Steven Erlanger i New York Times.
E mirë, kosovarët në Prishtinë nëse doni ju, por nëse i pyesni serbët se a janë ata kosovarë, ata do të thonë jo, ne jemi serbë, deklaroi Tadiç.
Kjo është hera e parë që presidenti i Serbisë shtron publikisht nevojën e një dialogu me Shqipërinë për të zgjidhur historinë qindravjeçare mes dy popujve, duke përfshirë këtu dhe një pazar për territoret.