Serbia, është e obliguar të zgjidh problemet në raport me Kosovën
Helsinki, 3 qershor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi sot është takuar me kryeministrin e Finlandës, Matti Vanhanen me çrast kanë diskutuar për zhvillimet në rajon dhe raportet bilaterale në mes të dy vendeve. Z. Thaçi dhe z.Vanhanen kanë zhvilluar një takim kokë më kokë dhe më pas takimi ka vazhduar me një drekë pune, me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dyja vendeve.
Kryeministri Hashim Thaçi ka njohur nikoqirin e tij, kryeministrin finlandez Martti Vanhanen me zhvillimet në rajon dhe me progresin që po shënon Kosova në ndërtimin e shtetit dhe paqes në rajon. Kryeministri Thaçi ka falënderuar qeverinë dhe popullin finlandez për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën në kuadër të kontingjentit të KFOR-it; në misionin e Bashkimit Evropian EULEX dhe në kuadër të ICO-së.
Në takim janë vlerësuar shumë lartë marrëdhëniet e deritanishme bilaterale në mesë të Kosovës dhe Finlandës dhe është shprehur gatishmëria dypalëshe për të vazhduar trendin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira dhe me interes reciprok.
Kryeministri Hashim Thaçi ka çmuar edhe për kujdesin që Finlanda ka treguar për qytetarët e Kosovës që ishin strehuar në këtë vend gjatë luftërave që u zhvilluan në rajon. Kryeministri ka ftuar investitorët finlandez që të jenë prezent me investimet e tyre në Kosovë, për çka Kosova ofron kushte dhe ambient të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit.
Kryeministri i Finlandës Matti Vanhanen ka vlerësuar arritjet e gjertanishme të Kosovës dhe ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në procesin e integrimit të saj në strukturat euroatlantike.
Në takim është konstatuar bashkërisht se Raporti i Progresit për Kosovën që pritet të publikohet sivjet do të evidentojë progresin e shënuar në zhvillimin e proceseve pozitive në Kosovë.
Në takimin janë identifikuar fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët për zhvillim, sidomos në ato fusha ku Finlanda ka treguar një standard të lartë. Në këtë kontekst janë identifikuar fusha e ambientit, pylltarisë, bujqësisë dhe fusha tjera.
Në konferencën për shtyp, të zhvilluar pas takimit, kryeministri finlandez është shprehur qartë për perspektivën evropiane të rajonit, duke theksuar se Serbia, në këtë kontekst, është e obliguar që të zgjidh problemet në raport me Kosovën.