Serbia e miraton Planin për zbatimin e marrëveshjes
Beograd, 26 maj - Qeveria e Serbisë e ka miratuar raportin e ekipit për hartimin e Planit të zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, si dhe Planin e zbatimit të marrëveshjes së parë për parimet të cilat rregullojnë normalizimin e raporteve si dokument i cili nuk e prejudikon statusin e Kosovës.
Në kumtesën zyrtare thuhet se Kryeministri, Ivica Daçiq e ka njoftuar përfaqësuesen e lartë të BE për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton me shkrim për këtë vendim.
Në letër thuhet se qeveria konsideron se miratim i planit të zbatimit si dhe nxjerrja e ndryshimeve të nevojshme të ligjeve të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes së parë, do të hap rrugë që përmbajtja politike e përpjekjeve shumë mujore të jap rezultate të cilat do ti konvenojnë interesave dhe pritjeve të qytetarëve dhe të gjitha palëve të përfshira në proces.
Qeveria konsideron se emërimi i komandantit rajonal të policisë për veriun e Kosovës, që do të bëhet me shfrytëzimin e autorizimeve të Bashkësisë së komunave serbe nga neni 9 i marrëveshjes, do të jap kontribut të dukshëm në ndërtimin e mirëbesimit dhe stabilitetit të rrethanave të përgjithshme politike dhe në shtimin e sigurisë në mbarë territorin e Kosovës e Metohisë, thuhet në letër.
Qeveria serbe vë në dukje se me miratimin e Planit të zbatimit të marrëveshjes së parë, si dhe arritja e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme dhe të ardhshme dhe zbatimi i tyre, nuk e cenojnë parimin e konfirmuar të qëndrimit neutral ndaj statusit në të gjitha fazat e zbatimit, theksohet në letrën dërguar përfaqësueses së lartë të BE, Catherine Ashton.
Në kumtesë thuhet se qeveria në këtë mbledhje nuk e ka miratuar dorëheqjen e drejtorit të Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Aleksandar Vulinit dhe ka vendosur që ai të vazhdojë ta drejtojë këtë zyrë.